spot_img
spot_img

Deputetja Jashari: LVV po shfrytëzon vazhdimisht hapësirat për interpretim të Kushtetutës për ta mbajtur peng vendin

Deputetja Sala Jashari ka kritikuar LVV-në se po shfrytëzon vazhdimisht hapësirat për interpretim të Kushtetutës, shkruan Mitrovica SOT

Ajo tha se kur sjellja e njëjtë përsëritet vazhdimisht, bëhet e qartë se qëllimi është ta mbajnë peng vendin.

Ajo tha se në disa nga këto raste Gjykata Kushtetuese ka dhënë konstatime të drejtpërdrejta, duke nënkuptuar se prandaj hapat e LVV qartazi përbëjnë shkelje të Kushtetutës.

Postimi:

Lëvizja Vetëvendosje po i shfrytëzon vazhdimisht hapësirat për interpretim të Kushtetutës për ta zvarritur funksionimin e institucioneve. Kur e njëjta sjellje përsëritet në çdo hap, bëhet gjithnjë e më e qartë se kemi të bëjmë me një strategji politike për ta mbajtur vendin peng.

Kjo nuk është vetëm një çështje interpretimi politik apo mendimi personal. Në disa prej këtyre rasteve, Gjykata Kushtetuese ka dhënë vendime dhe konstatime të drejtpërdrejta që e kanë përcaktuar mënyrën se si duhet të funksionojnë institucionet dhe se cilat veprime kanë qenë në kundërshtim me Kushtetutën.

Prandaj, faktet e mëposhtm janë vlerësime të bazuara në aktgjykime dhe vendime të Gjykatës Kushtetuese:

• Në legjislaturën e nëntë, Gjykata Kushtetuese konstatoi se seanca konstituive e Kuvendit nuk mund të zvarritej pa afat dhe se procedurat duhej të zhvilloheshin në përputhje me kërkesat kushtetuese. Si bashkëkryesuese e seancës konstituive, e kam parë nga afër se si Avni Dehari dilte vazhdimisht jashtë rendit të ditës, duke e penguar përmbylljen e procesit.

• Gjatë të njëjtit proces, Gjykata Kushtetuese sqaroi se kandidatura për kryetare të Kuvendit nuk mund të përsëritej pafundësisht pa siguruar votat e nevojshme. Megjithatë, u këmbëngul në të njëjtën kandidate, pavarësisht mungesës së mbështetjes së mjaftueshme, duke e mbajtur procesin të bllokuar për muaj të tërë.

• Më pas, Gjykata Kushtetuese trajtoi edhe çështjen e konstituimit të Kuvendit pa zgjedhjen e të gjithë nënkryetarëve dhe përcaktoi se përbërja e udhëheqjes së Kuvendit duhet të jetë në përputhje me kërkesat kushtetuese dhe përfaqësimin e përcaktuar me ligj.

• Në procesin e zgjedhjes së presidentit, Gjykata Kushtetuese ka theksuar rëndësinë e respektimit të kuorumit dhe të procedurave të përcaktuara në Kushtetutë. Megjithatë, VV vazhdoj me votim pa u përmbushur kushtet e nevojshme, duke e trajtuar një detyrim kushtetues sipas interesit të momentit.

• Në gusht, Gjykata Kushtetuese kishte përcaktuar se afati 30-ditor nga certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve duhet të respektohet për përmbylljen e konstituimit të Kuvendit. Ndërsa ky afat kaloi pa u përfunduar procesi, duke sjellë pasoja të drejtpërdrejta për funksionimin e institucioneve.

• Sot, LVV refuzoi të votonte kandidaten tonë për nënkryetare të Kuvendit, duke e lënë edhe këtë hap të papërfunduar. Edhe ky veprim duhet të vlerësohet në dritën e kërkesave kushtetuese dhe të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, e cila ka sqaruar se funksionimi i Kuvendit nuk mund të kushtëzohet nga kalkulimet e një partie të vetme.

Hapësira për interpretime të Kushtetutës mund të gjenden vazhdimisht, por vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të detyrueshme dhe duhet të respektohen nga të gjitha institucionet.

Besoj se qytetarët po e shohin gjithnjë e më qartë këtë sjellje dhe do të kërkojnë përgjegjësi për t’i dhënë fund këtij absurditeti politik.
Edhe sa gjykime duhet të kthehen mbrapa nga gjykata kushtetuese derisa të kuptohet që vet bllokimi është qëllimi!?

TË FUNDIT

TË FUNDIT