Dejona Mihali, një prej figurave më të fuqishme të Lëvizjes Vetëvendosje, ka zbuluar përmes një postimi qëndrimin e partisë së saj për zgjedhjen e nënkryetarëve të Kuvendit.
Mihali ka lidhur drejtpërdrejt votimin e kandidatëve të PDK-së dhe LDK-së për nënkryetarë me qëndrimet e këtyre dy partive për zgjedhjen e Presidentit.
Ajo pyet pse 62 deputetë duhet të votojnë kandidaten e PDK-së për nënkryetare, kur kjo parti ka deklaruar se nuk do të marrë pjesë në procesin e zgjedhjes së Presidentit.
Të njëjtën pyetje e ka ngritur edhe për LDK-në, duke kundërshtuar votimin e kandidatit të saj për nënkryetar, për shkak të qëndrimeve të tij kundër një marrëveshjeje me Vetëvendosjen për zgjidhjen e ngërçit institucional.
“Nuk mund të ketë marrëveshje vetëm për postet e tyre dhe bllokadë për institucionet e Republikës, siç është Presidenti”, shkruan Mihali.
Sipas saj, partitë opozitare nuk mund të kërkojnë votat e shumicës për të marrë poste në Kryesinë e Kuvendit, ndërsa më pas të refuzojnë pjesëmarrjen në proceset që lidhen me funksionimin e institucioneve.
Në fund, Mihali e bën të qartë kushtin: votat për nënkryetarët duhet të shoqërohen me marrëveshje për funksionimin e institucioneve në tërësi.




