Pas reagimeve të shumta lidhur me deklaratën se varrimi i Ratko Mlladiqit nuk ishte ngjarje shtetërore, zëdhënësja e Komisionit Evropian, Paula Pinho, ka deklaruar se Bashkimi Evropian po shqyrton mundësitë për hapat e mëtejshëm që mund të ndërmerren ndaj Serbisë.
Duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve nëse Serbia mund të përballet me pasoja për mënyrën se si u zhvillua varrimi i ish-komandantit të Ushtrisë së Republika Srpskas, Pinho i cilësoi pamjet nga ceremonia si “tronditëse”.
Ajo tha se niveli i mbështetjes zyrtare, përfshirë pjesëmarrjen e ministrave dhe ushtrisë, tregon dështimin për t’u përballur me një kapitull të errët të historisë së afërt evropiane dhe bie ndesh me vlerat e Bashkimit Evropian.
“Sa i përket pyetjes suaj për hapat e ardhshëm, ne po shqyrtojmë mundësitë”, deklaroi Pinho.
Pinho shtoi se nuk ishte e informuar për ndonjë kontakt zyrtar të liderëve kroatë me Komisionin Evropian lidhur me këtë çështje. Megjithatë, ajo theksoi se institucionet evropiane nuk kanë pritur për reagime të tjera për të shprehur qëndrimin e tyre ndaj mënyrës së varrimit të Mlladiqit.
Ajo rikujtoi se BE-ja ka bërë tashmë të qartë se “çdo glorifikim i kriminelëve të luftës, mohimi i gjenocidit dhe revizionizmi janë në kundërshtim me vlerat themelore evropiane dhe nuk kanë vend në BE apo në shtetet kandidate për anëtarësim”.
E pyetur edhe për vizitën e presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në Ballkanin Perëndimor, Pinho tha se planet për vizitën janë ende në përgatitje. Ajo shtoi se aktualisht nuk ka informacion nëse Serbia do të jetë pjesë e agjendës së kësaj vizite.




