spot_img
spot_img

E rëndë: Personi me probleme psikike i vë zjarrin motrës dhe sulmon nënën, e reja vdes në QKUK

Një ngjarje e rëndë ka tronditur rajonin e Pejës, ku një person me probleme të shëndetit mendor ka sulmuar familjarët e tij, duke i shkaktuar vdekjen motrës dhe lëndime të rënda nënës së tij.

Sipas të dhënave të para, stacioni policor në Klinë është njoftuar se në fshatin Poterq, i dyshuari fillimisht i ka vënë zjarrin krevatit ku po qëndronte motra e tij.

Më pas, ai ka kaluar në dhomën tjetër duke sulmuar nënën me mjet të fortë, secilës prej tyre duke u shkaktuar lëndime të rënda trupore.

Zyrtarët policorë kanë arrestuar menjëherë të dyshuarin në vendngjarje, ndërsa viktimat u dërguan me urgjencë në Spitalin e Pejës dhe më pas u transferuan në QKUK për shkak të gjendjes së rëndë.

Sot, Policia është njoftuar se vajza nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve të marra nga zjarri dhe ka ndërruar jetë.

Për Gazetën Insajderi, zëdhënësi i Prokurorisë, Shkodran Nikçi, ka konfirmuar se i dyshuari është ndaluar për 48 orë me urdhër të prokurorit të shtetit.

“Personi i dyshuar me urdhër të prokurorit të shtetit është ndaluar për 48 orë. Brenda afatit ligjor do të parashtrohet kërkesa për sigurimin e tij në procedurë penale. Për ndriçimin e këtij rasti janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore. Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në IML”, deklaroi Nikçi.

Për shkak të gjendjes së tij të rëndë psikike, i dyshuari është vendosur në repartin e psikiatrisë në Spitalin Rajonal të Pejës, nën përkujdesjen e personelit mjekësor dhe mbikëqyrjen e zyrtarëve policorë./Insajderi

TË FUNDIT

TË FUNDIT