Ipeshkvi i Dioqezës Prizren-Prishtinë, Dodë Gjergji, në një përgjigje ndaj letrës së hapur të disa intelektualëve rretj gjendjes së tolerancës ndërfetare, ka deklaruar se në Kosovë nuk ka konflikt ndërmjet katolikëve dhe myslimanëve dhe se harmonia ndërfetare vazhdon të jetë e qëndrueshme.
Ai tha se Ipeshkvia do të vazhdojë të thërras e punojë për mirëmbajtjen e harmonisë ndërfetare dhe dashurisë mes myslimanëve dhe katolikëve.
Gjergji megjithatë tërhoqi vërejtjen mbi rrezikun e radikalizmit islamik, një formë e Islamit që refuzon sistemin demokratik dhe sekularizmin shtetëror dhe përpjekjet e vektorëve të tij për të cenuar ndarjen strikte mes fesë dhe shtetit.
Ai theksoi se nuk mjafton deklarimi i shtetit si shtet laik, duke shtuar se institucionet duhet të ndërmarrin rol më aktiv në mbrojtjen e lirive fetare./MitrovicaSOT
Letra e plotë e Ipeshkvit Dodë Gjergji:
PËRGJIGJE LETRËS SË HAPUR TË INTELEKTUALËVE nënshkruesve të letrës së hapur të 28 gushtit 2026
Të nderuar, e kam lexuar me vëmendje dhe me respekt letrën tuaj, me të cilën më jeni drejtuar edhe mua, jo vetëm për shkak ndjenjës së përgjegjësisë dhe respektit ndaj çdo shqetësimi, por edhe për shkak të përmbajtjes së saj, të shqetësimit që Ju shprehni e brengosjes tuaj për të ardhmen tonë. Veç kësaj, sepse e vlerësoj bashkimin tuaj si intelektual, veprimtar dhe bashkëkombës me përvojë, për të shprehë bashkërisht një shqetësim dhe për të mbrojt bashkëjetesën ndërfetare ndër ne. Po flas edhe unë publikisht me ju, në këtë moment kur debati mbi fenë, historinë, identitetin dhe shtetin po merr tone gjithnjë e më të ndjeshme që, nëse lihet në rrëshqitje të lirë, mund të na marrë në qafë të gjithëve. Pas një meditimi të thellë dhe shoshitje të vazhdueshme mbi të gjitha gjërat vendosa t’ju përgjigjem me respekt, dashuri e mirënjohje. Këndej uroj që do të mirëkuptoni çdo fjalë të kësaj letre, pasi edhe kur duket se është e ashpër, brenda e bartë butësinë dhe qëllim ka shërimin që të gjithë po e kërkojmë.
Një shenjë shprese dhe një thirrje për dialog Letrën tuaj e shoh si një shenjë shprese dhe si një shkëndijë të rizgjimit të ndërgjegjes kombëtare e të vetëdijes shoqërore për përgjegjësitë që kemi të gjithë. Kjo vlen në mënyrë të veçantë për shtresën intelektuale dhe akademike, e cila ka një rol të pazëvendësueshëm në orientimin e mendimit publik. Për një kohë të gjatë, debati mbi çështje të ndjeshme si feja, historia, identiteti dhe bashkëjetesa është lënë pothuajse tërësisht në duart e rrjeteve sociale, portaleve, polemikave të çastit dhe klerikëve të papërgjegjshëm fetarë. Pikërisht për këtë arsye, shqetësimin tuaj e mirëpres dhe ju siguroj që të gjitha kërkesat tuaj në atë letër janë të zbatueshme në Kishën tonë, dhe nga unë personalisht. Varësisht dallimeve që kemi, mbi fenë, mbi historinë dhe mbi mënyrën e qasjes ndaj sfidave të sotme, megjithatë, unë dhe kryemyftiu jemi takuar shpeshherë, kemi përçua mesazhe të vazhdueshme paqeje, respekti, mirëkuptimi dhe jemi angazhuar të ruajmë bashkëjetesën ndërvëllazërore dhe tolerancën ndërfetare mes nesh. Kështu do të jetë edhe në të ardhmen. Edhe pse, dorën në zemër, këto ditë jemi paksa të hutuar brenda rrethanave të krijuara. Por jam i bindur që shpejtë do të kaloj frika, ekzaltimi apo shqetësimi. Si do që ta quajmë realitetin aktual, s’duhet të harrojmë që edhe mes vëllezërve ka pakënaqësi e mosmarrëveshje. Këndej, kërkohet durim me dashuri dhe duhet t’i jepet kohë të (zemëruarit) që të qetësohet. I bindur se e gjithë situata e krijuar kohëve të fundit nuk është shkak i ndonjë veprimi të pamatur nga ana jonë, por vjen si pasoj e një “britme” të atyre që s’duhej të flisnin dhe heshtja e gjatë e intelektualeve gjatë dekadave. Pastaj, edhe nga neglizhenca e institucioneve arsimore dhe organeve institucionale, e mbi gjitha nga filtrimi i fesë me politiken dhe keqpërdorimi politik i fesë – për vota. Vlerësova ta zgjeroj përgjigjen time ndaj letrës suaj, jo për t’i vënë në dyshim kërkesat tuaja, por nga dëshira për të filluar “një tryezë dialogu me ju” dhe me të tjerët që, brenda heshtjes tyre, ende kanë ndjenjë për vlerat tona dhe vullnet për t’i shpëtuar ato. Mendoj që kërkesa ime për dialog të hapur me shoqërinë dhe me ju në veçanti është një hap i rëndësishëm, që mund të hapë rrugë të reja për një debat të pjekur, të përgjegjshëm dhe të dobishëm për shoqërinë tonë, për paqen tonë shpirtërore dhe për të ardhmen tonë të përbashkët. Nuk ka konflikt ndërmjet katolikëve dhe myslimanëve Para se të zbërthej disa mendime lidhur me argumentet, më duhet të konstatoj, se: Nuk ka konflikt ndërmjet katolikëve dhe myslimanëve, pasi jeta reale e njerëzve tanë vazhdon të dëshmojë për një bashkëjetesë të qëndrueshme dhe dashuri të mjaftueshme.
Njerëzit tanë vazhdojnë të jetojnë pranë njëri-tjetrit, punojnë së bashku, ndajnë miqësi, lidhje familjare, jetë bashkëshortore dhe bashkëndajnë gëzime dhe dhimbje. Ata ndahen në katolikë e myslimanë, kur shkojnë në xhami e kishë, kur vdesin ose kur varrosen, e sidomos në rrjete sociale. Bile, kohët e fundit njerëzit tanë kanë hyrë në një përvojë, në pamje të parë të re, por realisht shumë të moçme, pasi shumica e të pagëzuarve, viteve të fundit, vazhdojnë të jetojnë në dashuri, në paqe e në harmoni, me familjarët e tyre, me miqtë dhe rrethin shoqëror. Pikërisht si dikur kur njëri vëlla konvertohej në islam e tjetri i rrinte besnikë bindjeve të tija, të dy këta vazhdonin ta donin, ta mbështetnin e ta mbronin njëri-tjetrin. Edhe marrëdhëniet institucionale ndërmjet Kishës Katolike dhe Bashkësisë Islame kanë qenë, për vite të tëra dhe do të jenë marrëdhënie takimi, respekti dhe bashkëpunimi. Prandaj, do të ishte e pasaktë dhe madje e rrezikshme që debati i sotëm të përshkruhej si përplasje ndërmjet dy feve ose si një rrezik për bashkëjetesën ndërfetare, pasi këtë vlerë të paçmueshme të shqiptarëve, s’kanë arrite ta rrënojnë pushtuesit, ta tjetërsojnë ideologjitë e nuk do të arrinim ta rrënonim as ne prijësit fetar edhe po të donim. Pasi, kjo tashmë është ADN-ja e kombit tonë. Vetëdija kombëtare, multireligjioziteti i popullit, uniteti i shpirtit dhe dashuria ndërvëllazërore mes nesh është aq e fortë sa s’ka fuqi që ta rrënojë. Megjithatë, kjo nuk do të thotë që nuk jemi të vetëdijshëm për dëmin që mund të shkaktojë mendësia irracionale e disave, arroganca e numrave, ose mosveprimi i drejtë i organeve ligjzbatuese dhe heshtja e atyre që duhet të flasin.
Kur liria ndahet nga përgjegjësia Liria e pa menaxhuar nga ligji, e drejta pa iu nënshtruar të vërtetës dhe shpërqendrimi i shtresës intelektuale nga përgjegjësia ka krijuar anarki mendimesh. Paqja pa qëllime sublime ka shkaktuar “hapësira boshe”, në kohën tonë të cilat janë mbushur me nostalgji për të rikthyer të kaluarën në lavdi imagjinare, në neotomanizëm, apo me narracion vetëkënaqësie. Pastaj, ushtrimi i mundësive pa respekt dhe pa e ballafaquar me të vërtetën ka trondit shpirtin tonë. Kur i shtojmë këtu edhe shumë gjëra më të tmerrshme që kanë ndodhur ndër ne, atëherë me arsye ngritët pyetja: A po e rrezikojmë boshtin e unitetit kombëtarë? Sigurisht janë të shumët ata që mund t’i japin përgjigje kësaj pyetjeje, nga aspekte të veçanta antropologjike, socio-filozofike, historike, kulturore etj., që duhet t’i trajtoni ju e shumë të tjerë. Kështu që po ndalem vetëm te aspekti shpirtërorë dhe fetarë, që më takon, edhe atë pa u thelluar në tërësinë e problemit, por duke u ndalë vetëm te çështja kryesore, nga ku burojnë dallimet, përçarjet, fyerjet dhe shumë të këqija tjera që kanë luhatur bindjen kolektive të shqiptarëve, me narracione të reja, të dëmshme e të papranueshme. Liria e shpirtit dhe realiteti i ri fetar Pa u ndal te radikalizmi islamik, influencat e të huajve dhe financimet e jashtme, por duke u mbështetur vetëm tek realiteti ynë, më duhet të konstatoj se deri në luftë e fundit, ishim të gjithë një mendje dhe një zemër, pasi kishim synim e qëllim lirinë.
Kur arritëm lirinë, njerëzit tanë iu afruan xhamive dhe kishave, për t’u thelluar në fe, për të mos jetuar në hipokrizi shpirtërore dhe për të qenë të vërtetë. Deri këtu gjithçka brenda suazës së normales. Por, kur shqiptarët e islamizuar dikur u përballën me të vërtetat e fesë së tyre, u ndanë në tri taborë: në ata që duan ta jetojnë fenë sipas doktrinës kuranore; në ata që insistojnë në parimin “feja e shqiptarit është shqiptaria” dhe në ata që duan të krijojnë relacion me Krijuesin, por nuk gjejnë përgjigje e as përmbushje shpirtërore në islam dhe duan të kthehen në fenë e të parëve të vet. Kështu, njëkohësisht filloj riislamizimi dhe rikristianizimi i shqiptarëve të konvertuar në islam, edhe pse shumica absolute akoma insiston të ruaj parimin e Pashko Vasës: feja e shqiptarit është shqiptaria. Jam i bindur që gjërat kanë ndryshuar dhe që duhet të kalojnë në një moto të re, të pranueshme dhe të dobishme për kohën tonë dhe për secilin prej nesh, këndej fryma e re që duhet të na qoj përpara duhet të jetë: ”FEJA E SHQIPTARIT” ËSHTË LIRIA E SHPIRTIT TIJ dhe dashuria ndërvllazërore që i nënshtrohet përcaktimit individual të secilit. Përplasja është mes koncepteve kombëtare, jo mes feve Marrë parasysh për sa u tha më lartë, nuk kemi të bëjmë me një përplasje mes katolikëve dhe myslimanëve, por mes koncepteve dhe pikëpamjeve të shqiptarëve të konvertuar dikur në islam. Kanë filluar ushtrimin e lirisë së shpirtit e si pasoj e kësaj lirie ka filluar riislamizimi, rikristianizimi ose braktisja e të dyja feve. Në fakt konflikti ka marrë përmasat që i ka, jo vetëm prej arrogancës së riislamizuarëve dhe rikristianizuarëve e as nga perceptimi i shumicës së shqiptarëve mbi një kombe fe ose nga pretendimi i disave për një fe komb. Por, se këto procese kanë nxjerrë në pah dallimet të ndryshme, mbi dinjitetin, identitetin, mbi historinë, fenë, kulturën, lirinë dhe karakterin e shtetit e mbi gjitha ndryshimin e rrugëtimit tonë drejtë të ardhmes. Ne, të gjithë arrogancën ekstremiste të riislamizuarëve e përballuam me heshtje, duresë dhe urti. E urojmë që edhe Bashkësia Islame, me të njëjtën urti dhe duresë, ta përballojë arrogancën e disa myslimanëve të deritanishëm që janë kthyer në fenë e të parëve e të ju japë kohën e duhur që t’i zbusim zemrat e tyre. Sepse, kemi bindjen që do t’i shndërrojmë në bijë të denjë për kombin tonë. Pikërisht, për shkak se problemi është më i gjerë se marrëdhënia ndërmjet dy bashkësive fetare, përgjigjja ndaj këtij fenomeni nuk mund t’u lihet vetëm Kryemyftiut dhe Ipeshkvit.
Kjo nuk do të thotë që unë dhe Kisha Katolike dëshirojmë t’i shmangemi përgjegjësisë e as pjesës së fajit për gjendjen e krijuar, por se jemi të bindur që të gjithë njerëzit vullnetmirë, duhet t’i bashkojnë forcat shpirtërore, intelektuale, shoqërore dhe shtetërore të kombit, për t’i dhanë përgjigje dilemave të krijuara, të vërtetave të manipuluara dhe të drejtave të cenuara, duke analizuar shkak-pasojë, dhe t’u gjemë përgjigje të përbashkët pyetjeve të shtruara në letrën tuaj dhe çështjeve më të rëndësishme, duke e shëruar “plagën”, pasi kjo plagë na ka bërë të vuajmë të gjithë. Diagnostikimi i plagës dhe gjetja e ilaçit Aktualisht, zhurma është më e fuqishme, por nuk duhet harruar që procesi është shumë më i gjatë. Në të vërtetë, ka dekada dhe vite me radhë që kur trumbetohen ide antikombëtare, mohohen vlerat identitare që i trashëgojmë e që na bashkojnë, promovohen pasaktësitë historike dhe nuk mungojnë as përpjekjet për të parcelizuar (copëzuar) historinë me pretendimin se vetëm një periudhë është e dobishme dhe e vlefshme. Pastaj, kur i shtojmë këtu interpretimet e cekëta të identitetit shqiptar, përzierjen e fesë në projekte politike dhe kulturore. Mbi gjitha, kur shumica fetare, për të dominuar dinamikat shoqërore, politike dhe ligjore, pretendon se toleranca është meritë e shumicës së censusit, e si rrjedhojë kur pakica do të ushtrojë një të drejtë, duhet të marrë pëlqimin (nula osta) nga shumica se përndryshe rrezikohet paqja dhe toleranca ndërfetare dhe shkaktarë i gjithë kësaj do të shpallet pakica. Këto dhe shumë anomali tjera, me heshtjen e të gjithëve, janë lanë në dorën e të papërgjegjshmëve, e si rrjedhojë e heshtjes institucionale, shoqërore dhe akademike, e ndoshta shumë njerëz të dijes kanë menduar se sharlatanët dhe pseudo historianet nuk meritojnë përgjigje. Por koha ka treguar se heshtja nuk e shuan domosdoshmërisht të pavërtetën; shpeshherë i jep asaj kohë të zërë rrënjë në mendjen e njerëzve. Pasi, kur e vërteta hesht gënjeshtra e zë vendin e saj. Heshtja krijon hapësirë për të pavërtetën Kur universitet tërhiqen nga debati publik mbi argumentet që i theksova, rrjetet sociale fillojnë të formojnë bindje brenda grupeve të veçanta.
Kur institucionet kulturore nuk e mbrojnë kujtesën historike me argumentet e qëndrueshme mbi të vërtetën, ajo kujtesë fillon të riformatohet sipas ideologjive të ditës. Dhe kur politika hesht e shteti përpiqet të negocioj liritë dhe obligimet me kërcënuesit e tyre, shumica mund të fillojë ta ngatërrojë fuqinë e numrit me të drejtën për të përcaktuar çfarë është e vërtetë, çfarë është kombëtare dhe çfarë është e lejueshme e çfarë është e ndaluar. Bile, të shkoj aq larg, sa të pretendojë se është shumica ajo e cila duhet të përcaktojë se kur dikush mund ta ushtrojë të drejtën e kur ushtrimi i saj kërcënon tolerancën ndërfetare ose paqen mes shqiptarëve. Këtu, për mendimin tim, gjendet një nga problemet më serioze të momentit. Pasi, feja brenda një shoqërie të lirë, nuk mund të pretendojë potencë nëpërmjet shumicës, por të mbështetet në fuqinë e argumentit në mirësinë e të bijve të Hyjit dhe në të vërtetën. Shumica nuk ka të drejtë të përcaktojë lirinë e as nuk ka të drejtë ta përvetësojë të vërtetën, historinë, kulturën apo lirinë e ndërgjegjes së tjetrit. Shumica është njësi matëse në politiken demokratike që përcakton se kujt mund t’i jepet e drejta të drejtojë qeverinë dhe funksionalitetin demokratik të saj, por nuk mund të jetë njësi matëse që përcakton se kush ka më shumë dinjitet, kush është më autentik kombëtarisht apo se sa fuqi ka një shumicë, e aq më pak që ajo të përcaktojë se sa hapësirë duhet t’i takojë një pakice në ushtrimin e të drejtave të veta. Toleranca ndërfetare nuk është meritë e shumicës Shpeshherë edhe nga autoritetet institucionale dëgjohet formulimi se “toleranca fetare është meritë e shumicës”. Kjo është e pa pranueshme dhe konceptualisht krejt gabim, pasi e vendos shumicën në pozitën e atij që toleron dhe pakicën në pozitën e atij që tolerohet. Por, në një shtet të së drejtës, pakica nuk është mysafire e shumicës. Katoliku nuk jeton i lirë, sepse myslimani e toleron dhe myslimani nuk duhet të jetojë i lirë në një vend me shumicë të krishterë, sepse i krishteri është zemërgjerë. Të dy janë të lirë, sepse kanë dinjitet njerëzor dhe sepse shteti ua garanton këtë liri si të drejtë, jo si favor. Kur kërcënimi bëhet më i fortë se ligji Pikërisht për këtë, mosfunksionimi i ligjit sidomos tërheqja e institucioneve përballë presionit të shumicës është shumë më tepër se një problem administrativ.
Pasi një veprim i tillë prek vetë themelin e shtetit. Nëse një bashkësi, një individ apo një institucion vepron brenda ligjit, ndërsa një grup tjetër kërcënon me trazira, presion apo protesta për ta penguar atë, shteti nuk mund të zgjidhë problemin duke kufizuar të drejtën e atij që respekton ligjin në favor të frikës së tij nga ata që e kërcënojnë atë. Në atë çast krijohet një precedent i rrezikshëm, sepse mesazhi që i dërgohet shoqërisë është se kërcënimi mund të ketë më shumë forcë se ligji. Dhe kur kjo ndodh, nuk humb vetëm një pakicë fetare apo një bashkësi e caktuar. Humb vetë Republika, sepse qytetari fillon të mësojë se të drejtat nuk varen nga Kushtetuta dhe ligji, por nga gatishmëria e shumicës për t’i pranuar ose refuzuar ato. Natyrisht, shteti ka detyrim ta mbrojë rendin dhe sigurinë publike. Askush nuk kërkon që rreziku të neglizhohet. Por, ka një dallim thelbësor ndërmjet mbrojtjes nga një rrezik real dhe dorëzimit përpara kërcënimit. Në rastin e parë, shteti garanton të drejtën dhe njëkohësisht mbron sigurinë. Në rastin e dytë, ai kufizon atë që vepron ligjërisht për t’iu përshtatur atij që kërcënon. Kjo e përmbys rendin moral dhe juridik të shoqërisë. Sepse në fund mësohet një parim i gabuar: kush bërtet më shumë, kush mobilizon më shumë njerëz ose kush kërcënon me më shumë pasoja, fiton më shumë pushtet mbi vendimmarrjen publike. Një shtet që e pranon këtë logjikë sidomos për çështjet fetare, nuk mund të jetë shtet i drejtë, demokratik e as evropian.
Shteti duhet të garantojë lirinë, jo ta negociojë atë Pikërisht këtu kam ndier mungesën e një mbështetjeje më të qartë institucionale. Nuk mjafton që shteti të shpall në dokumente se qytetarët janë të barabartë dhe se Kosova është shtet laik. Këto parime marrin kuptim vetëm atëherë kur provohen në situata konkrete, sidomos kur mbrojtja e tyre kërkon guxim politik. Është e lehtë të flitet për tolerancë në konferenca dhe ceremoni; është shumë më e vështirë të mbrohet barazia atëherë kur një pjesë e shumicës nuk është dakord. Por pikërisht aty matet serioziteti i institucioneve. Shteti nuk duhet të jetë arbitër i së vërtetës fetare, por duhet të jetë garant i lirisë së secilit. Dhe, kur ai tërhiqet para presionit, krijon jo vetëm pasiguri juridike, por edhe bindjen se shumica mund të zëvendësojë ligjin me vullnetin e vet dhe detyrimisht i imponon pakicës që të gjejë rrugë tjera për ta mbrojtur të drejtën e vet. Ftesë për një dialog të hapur dhe serioz Ndërkohë, meqë ju më jeni drejtuar publikisht, dua t’ju siguroj se Kisha Katolike në Kosovë dhe unë personalisht do të vazhdojmë dialogun ndërfetar me myslimanët. Por, duam të fillojmë një dialog me kombin tonë dhe të hyjmë në dialog të hapur, të qetë, të sinqertë dhe serioz me shtresën intelektuale, akademike, kulturore dhe institucionale të vendit. Jo për të kërkuar fajtorë, por për të sqaruar parimet mbi të cilat duhet të mbështetet bashkëjetesa jonë: e që ne të paktët që rezistuam dhe ruajtëm kontinuitetin e popullit tonë të mos konsiderohemi pakicë dhe të huaj në vendin tonë. Që ligji të jetë më i fortë se presioni, që shumica të mos bëhet pronare e së vërtetës, që ‘‘pakica’’ të mos ndihet mysafire në atdheun e vet, që historia të mos rishkruhet sipas nevojave të së tashmes, që shteti laik të mbetet garancia e lirisë së të gjithëve dhe që uniteti ynë të mos shpërbëhet. Përgjegjësia nuk u takon vetëm prijësve fetarë Në këtë pikë pajtohem plotësisht me një prej pohimeve të letrës suaj: kjo çështje nuk u përket vetëm imamëve dhe priftërinjve. Nëse rreziku është shoqëror, përgjegjësia duhet të jetë shoqërore. Nëse preket historia, duhet të flasin historianët. Nëse preket barazia, duhet të veprojë shteti. Nëse vihet në pikëpyetje karakteri laik i Republikës, duhet të reagojnë institucionet kushtetuese. Dhe nëse po krijohet një kulturë në të cilën shumica beson se numri i jep të drejtë të përcaktojë gjithçka, atëherë duhet të zgjohet ndërgjegjja e tërë shoqërisë.
Nga alarmi te përgjegjësia e përbashkët Prandaj, ju falënderoj për alarmin që keni ngritur! Por, do të dëshiroja që ky alarm të mos përfundojë me një letër drejtuar dy liderëve fetarë. Do të dëshiroja që ai të bëhet fillimi i një rizgjimi i ndërgjegjes kombëtare dhe i përgjegjësisë së përbashkët. Ne, Kisha Katolike – Dioqeza Prizren-Prishtinë, do ta bëjmë pjesën tonë si deri më tani me duresë, arsye dhe dashuri. Por, presim që edhe bashkësitë e tjera fetare, akademia, shteti, universiteti, politika, mediat dhe intelektualët t’i dalin ballë përgjegjësive të veta. Vetëm kështu mund ta ruajmë një shoqëri, në të cilën dallimet nuk kthehen në armiqësi dhe askush nuk ka nevojë të kërkojë lejen e shumicës për të qenë i lirë e për ti ushtruar të drejtat e ligjshme. E vërteta në dashuri Si i krishterë, besoj se e vërteta dhe dashuria nuk mund të ndahen. E vërteta pa dashuri mund të kthehet në armë; dashuria pa të vërtetë mund të lërë boshllëk. Ne kemi nevojë për të dyja. Vetëm kështu mund ta mbrojmë paqen, dinjitetin e secilit dhe atë trashëgimi të përbashkët të shqiptarëve, bashkëjetesën ndër vëllazërore dhe tolerancën ndërfetare, që nuk është pronë e një feje, por amanet i të parëve për të gjithë ne. Me respekt dhe mirënjohje!




