Agjencia e Statistikave të Kosovës tha se shpenzimet e Qeverisë së Përgjithshme janë rritur për më shumë se 213 milionë euro në tremujorin e dytë të vitit 2026 krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Ndërsa për herë të parë në këtë krahasim shpenzimet kanë kaluar edhe shumën e të hyrave të realizuara gjatë tremujorit.
“Gjithsej shpenzimet e Qeverisë së Përgjithshme në TM2 2026 ishin 997.9 milion Euro, ndërsa shpenzimet në TM2 2025 ishin 784.9 milion Euro. Pjesën më të madhe të shpenzimeve e përbëjnë Kontributet sociale dhe përfitimet me 36%, Kompensimi i punëtorëve me 24%, Konsumi i ndërmjetëm 13%, ndërsa pjesa e mbetur e shpenzimeve është shpërndarë në kategori tjera të shpenzimeve”, thuhet në një komunikatë për media nga ASK.
“Gjithsej të hyrat e Qeverisë së Përgjithshme në TM2 2026 ishin 974.7 milion Euro, ndërsa të hyrat në TM2 2025 ishin 972.6 milion Euro. Pjesën më të madhe të të hyrave e përbëjnë Tatimet në produkte, të cilat paraqesin 67% të gjithsej të hyrave, Tatimet rrjedhëse në të ardhura 18%, Aktivet dhe detyrimet financiare 7%, ndërsa pjesa e mbetur është shpërndarë në kategori tjera të të hyrave”, thuhet mes tjerash në komunikatë.


