spot_img
spot_img

Kryeministri britanik: Britania do ta mbështesë Kosovën në rrugën drejt NATO-s dhe Këshillit të Evropës

Kryeministri i ri britanik, Andy Burnham, është zotuar se Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë t’i mbështesë fuqishëm aspiratat euroatlantike të Kosovës dhe integrimin e saj në institucionet ndërkombëtare.

Në përgjigjen ndaj urimit të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, për marrjen e detyrës së re, Burnham theksoi se Kosova dhe Mbretëria e Bashkuar kanë ndërtuar një partneritet të ngushtë dhe të qëndrueshëm.

Ai u shpreh krenar që Britania ka qëndruar pranë popullit të Kosovës që nga ndërhyrja e NATO-s në vitin 1999 dhe ishte ndër shtetet e para që e njohën pavarësinë e saj.

Nuk ka dëshmi më të qartë të përkushtimit tonë sesa dislokimi i vazhdueshëm i forcave britanike në KFOR për të ndihmuar në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit”, thuhet në letrën e publikuar nga Zyra e Kryeministrit.

Burnham premtoi se Mbretëria e Bashkuar do të punojë për zgjerimin e mbështetjes ndaj anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës dhe avancimin e saj drejt NATO-s.

“Mbretëria e Bashkuar do të mbetet mbështetëse e fuqishme e aspiratave euroatlantike të Kosovës dhe do të vazhdojmë të punojmë për avancimin e integrimit të saj në institucionet ndërkombëtare”, shkroi ai.

Kryeministri britanik shprehu gjithashtu shpresën që Kosova ta formojë sa më shpejt Qeverinë e re, në mënyrë që të thellohet bashkëpunimi në mbrojtje, siguri, tregti, investime dhe luftimin e migrimit të parregullt.

“Si mike e afërt e Kosovës, Mbretëria e Bashkuar mbetet fuqishëm e përkushtuar ndaj sigurisë dhe prosperitetit të Ballkanit Perëndimor”, theksoi Burnham.

Andy Burnham mori detyrën e kryeministrit më 20 korrik, pas dorëheqjes së Keir Starmerit.

TË FUNDIT

TË FUNDIT