spot_img
spot_img

Qeveria në detyrë ndan mbi 4.3 milionë euro për Barnat Esenciale

Qeveria në detyrë e Kosovës ka zhvilluar një mbledhje elektronike, në të cilën ka miratuar disa vendime dhe kërkesa, përfshirë transfere financiare në vlerë prej mbi 5.6 milionë euro.

Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, është miratuar kërkesa e Shërbimit Spitalor, Klinik dhe Universitar të Kosovës për transferimin e 4,333,900 eurove, të destinuara për furnizim me barna nga Lista e Barnave Esenciale.

Po ashtu, është miratuar kërkesa e Ministrisë së Punëve të Brendshme për transferimin e 1 milion eurove, për mbulimin e obligimeve që lidhen me shpenzimet operative.

Qeveria ka miratuar edhe kërkesën e Komunës së Podujevës për transferimin e 300 mijë eurove, për mbulimin e obligimeve kontraktuale.

Në mbledhje është miratuar edhe vendimi për caktimin e lartësisë së kompensimit mujor të anëtarëve të Bordit të Drejtorëve të Ndërmarrjes Publike Qendrore “Korporata e Ruajtjes së Energjisë – KRE (Energy Storage Corporation – ESCorp)” Sh.A.

Ndërkaq, është miratuar vendimi për dhënien në shfrytëzim të një parcele kadastrale me sipërfaqe prej 999 metrash katrorë, në pronësi të Agjencisë Pyjore të Kosovës – Ndërmarrja e Pyjeve në Prizren, për nevoja të Ministrisë së Drejtësisë.

Qeveria në detyrë ka miratuar gjithashtu nominimin e tre përfaqësuesve të saj në Këshillin Konsultativ për Komunitete.

Sipas njoftimit, të gjitha vendimet janë marrë në kuadër të mbledhjes elektronike të Qeverisë në detyrë.

TË FUNDIT

TË FUNDIT