Policia e Kosovës ka arrestuar tre persona të dyshuar për një rast të vjedhjes së rëndë në Leposaviq, ku nga një shtëpi dyshohet se janë vjedhur 12 mijë euro, 40 mijë dinarë dhe dy zinxhirë ari.
Sipas Policisë, rasti është raportuar më 20 gusht në Stacionin Policor në Leposaviq. Vjedhja dyshohet se ka ndodhur në kohën kur në shtëpi nuk ndodhej askush.
Pas hetimeve, policia ka identifikuar katër persona të dyshuar, prej të cilëve tre janë arrestuar, ndërsa një tjetër vazhdon të jetë në kërkim.
Në bashkëpunim me Prokurorin e Shtetit, policia ka kryer kontrolle në adresat e personave të arrestuar.
N.V. (2006) është arrestuar në fshatin Borovë të Leposaviqit. Gjatë kontrollit, tek ai është gjetur një fishek për pistoletë.
N.L. (2007) është arrestuar në Leshak, ku gjatë kontrollit i janë gjetur 5,300 euro, për të cilat dyshohet se janë para të përfituara nga vjedhja.
Të dyshuarit, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, janë dërguar në mbajtje për 48 orë.
Ndërsa personi i tretë i arrestuar, D.M. (2009), është liruar në procedurë të rregullt.
Policia ka bërë të ditur se hetimet për rastin po vazhdojnë, ndërsa personi i katërt i dyshuar ende nuk është arrestuar.
Në njoftim, policia ka apeluar te qytetarët që të tregojnë kujdes kur largohen nga shtëpitë dhe, kur është e mundur, të sigurohen që banesat e tyre të jenë nën mbikëqyrjen e familjarëve apo personave të besueshëm.
Gjithashtu, qytetarëve u është rekomanduar që të mos lënë sende me vlerë në shtëpi pa mbikëqyrje.
Policia ka bërë të ditur se qytetarët mund të raportojnë rastet e dyshimta në numrin 192.




