Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka reaguar lidhur me optimizimin gradual të pranisë së KFOR-it në Kosovë, përfshirë përshtatjen e pranisë në urën mbi Ibër.
Maqedonci ka thënë se ky proces është reflektim i përmirësimit të situatës së sigurisë në vend dhe i rritjes së kapaciteteve të institucioneve kosovare të sigurisë.
Sipas tij, optimizimi i pranisë së KFOR-it bazohet në vlerësime profesionale të situatës në terren dhe nuk paraqet zvogëlim të sigurisë për asnjë qytetar apo komunitet në Kosovë.
“Siguria e të gjithë qytetarëve të Kosovës, pa dallim etnie, është dhe mbetet përgjegjësi dhe prioritet i institucioneve tona”, ka deklaruar Maqedonci.
Ai ka kritikuar edhe përpjekjet e lidershipit serb për ta paraqitur optimizimin e pranisë së KFOR-it si kërcënim për komunitetin serb apo si dëshmi të një situate të paqëndrueshme në Kosovë.
Maqedonci ka përmendur në këtë kontekst edhe gjetjet lidhur me varrezën masive në Kalludër, zbulimin e armëve dhe pajisjeve në lokacione të ndryshme në veri të Kosovës, si dhe veprimet e institucioneve kosovare kundër rrjeteve të dyshuara të inteligjencës së Serbisë dhe aktiviteteve subversive.
“Republika e Kosovës nuk është burim i destabilitetit. Kosova është shtet demokratik, partner i besueshëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, NATO-s dhe aleatëve tanë, si dhe kontribuuese në sigurinë dhe stabilitetin rajonal”, ka theksuar ai.Maqedonci ka bërë thirrje për përgjegjësi, transparencë dhe respektim të fakteve, duke theksuar se institucionet e Kosovës do të vazhdojnë koordinimin me KFOR-in dhe partnerët strategjikë për forcimin e kapaciteteve dhe ruajtjen e një mjedisi të sigurt për të gjithë qytetarët.



