Dogana e Kosovës ka parandaluar futjen e mjeteve monetare të padeklaruara në territorin e Republikës së Kosovës.
Rasti ka ndodhur më 18 gusht 2026, në Pikën e Kalimit Kufitar Dheu i Bardhë, ku zyrtarët doganorë gjatë kontrollit kanë zbuluar mjete monetare të fshehura dhe të padeklaruara.
Gjatë kontrollit janë gjetur 12 mijë e 570 euro dhe 5 mijë e 900 franga zvicerane, me një kundërvlerë totale prej 18 mijë e 841.74 eurosh, sipas kursit të këmbimit në ditën e kontrollit.
Mjetet monetare janë ndaluar dhe evidentuar në përputhje me procedurat përkatëse, ndërsa rasti është iniciuar për trajtim të mëtejmë nga njësitë kompetente të Doganës së Kosovës.
Dogana e Kosovës ka rikujtuar se çdo person që hyn ose del nga Republika e Kosovës është i obliguar të deklarojë mjetet monetare, instrumentet e negociueshme, si dhe metalet dhe gurët e çmuar, kur vlera e tyre arrin ose tejkalon shumën prej 10 mijë eurosh.



