Deputeti i Aleancës, Burim Ramadani, ka reaguar pas vdekjes tragjike të punëtorit të KEK-ut, Arben Ahmeti, i cili humbi jetën nga kontakti me rrymën.
Ramadani ka theksuar se vetëm gjatë javëve të fundit, tre punëtorë të Korporatës Energjetike të Kosovës kanë humbur jetën në vendin e punës.
“Sot na tronditi vdekja tragjike e Arbenit Ahmetit nga kontakti me rrymën, ndërsa tri ditë më parë humbëm teknikun Haxhi Gojnovci. Sikur të mos mjaftonte kjo javë e përgjakshme, vetëm një muaj më parë në po këtë korporatë vdiq edhe punëtori Milazim Binaku”, ka shkruar Ramadani.
Ai e ka cilësuar situatën si “dështim total dhe kriminal të shtetit”, duke ngritur shqetësimin për kushtet e sigurisë në ndërmarrjet publike.
“Ku mbeti premtimi i madh i kësaj Qeverie për rritjen e numrit të inspektorëve dhe sigurinë në punë?”, ka pyetur Ramadani.
Sipas tij, mbi 17 familje në Kosovë janë në zi vetëm gjatë këtij viti si pasojë e aksidenteve në vendin e punës.
“Ndërmarrjet tona publike janë shndërruar në zona rreziku për shkak të mungesës së kushteve bazike dhe menaxhimit të paaftë politik”, ka deklaruar ai.
Ramadani u ka shprehur ngushëllime familjeve Ahmeti, Gojnovci dhe Binaku, duke përmbyllur reagimin me mesazhin:
“Buka e gojës nuk guxon të paguhet me jetë njerëzish!”




