Një tumor me peshë prej 3.5 kilogramësh, rreth 27 centimetra i gjatë dhe 17 centimetra i gjërë, është larguar nga kaviteti torakal i një pacienti 23-vjeçar në Klinikën e Kirurgjisë Torakale në QKUK.
QKUK ka njoftuar se ka realizuar me sukses këtë intervenim kirurgjik të rrallë dhe jashtëzakonisht kompleks.
“Intervenimet e tilla përbëjnë një sfidë të veçantë për çdo ekip kirurgjik në nivel mjekësor, veçanërisht për shkak të përmasave të tumorit, lokalizimit të tij delikat dhe kompleksitetit të lartë të ndërhyrjes brenda kavitetit torakal” – thuhet në njoftim më 18.08.2026.
Operacioni u realizua me sukses të plotë nga ekipi i specializuar i Klinikës së Kirurgjisë Torakale të QKUK-së, nën udhëheqjen e drejtorit të Klinikës, Dr. Nazmi Kolgeci.
QKUK theksoi se ndërhyrja u krye në bashkëpunim të ngushtë me ekipin e anestezionit, të udhëhequr nga anesteziologu Dr. Qendrim Morina, si dhe me mbështetjen e palodhshme të stafit të mesëm shëndetësor (instrumentarëve dhe infermierëve)./kallxo.com



