Kriza politike në Kosovë po vazhdon, por rrjetet sociale duket se e kanë gjetur kandidatin e tyre për ta zgjidhur të paktën njërën pjesë të saj: Besim Dinën.
Pas zgjedhjeve të 7 qershorit, të tretat parlamentare në më pak se dy vjet, vendi vazhdon të jetë në ngërç institucional. Vetëvendosje doli sërish e para me 53 mandate, por procesi i konstituimit të Kuvendit nuk është përmbyllur, ndërsa çështja e presidentit mbetet një prej pikave ku kërkohet marrëveshje më e gjerë mes partive.
Madje, ditët e fundit edhe vetë Albin Kurti ka folur për nevojën që presidenti i ardhshëm të jetë një figurë konsensuale, me mbështetje sa më të gjerë, ndërsa LDK ka shprehur gatishmëri për të kontribuar në gjetjen e një emri të pranueshëm për palët.
E teksa politika vazhdon të kërkojë formulën, TikTok duket se ka një propozim më pak tradicional.
Prej disa ditësh në platformë po qarkullojnë postime ku aktori, humoristi dhe moderatori Besim Dina propozohet si një president “konsensual”. Ideja, deri tani krejtësisht në kuadër të rrjeteve sociale dhe jo si kandidaturë zyrtare, ka prodhuar mijëra pëlqime dhe qindra komente.
Dina është një prej figurave më jetëgjata të televizionit kosovar, i njohur sidomos për “Oxygen”, formatin që prej vitesh ndërthur humorin, intervistat dhe komentimin e realitetit shoqëror. Ai është aktor, komedian, autor, producent dhe moderator.

Politika nuk ka munguar asnjëherë nga humori i tij. Përmes “Oxygen”, Dina shpesh ka ironizuar politikanët, zhvillimet në vend dhe problemet e përditshme të qytetarëve, përfshirë edhe rritjen e çmimeve.
Por ka një detaj interesant në gjithë këtë histori: vetë Besim Dina është shprehur më herët se nuk e sheh veten duke hyrë në politikë, duke e paraqitur veten si dikush që nuk përshtatet me mënyrën se si funksionon ajo botë.
Pra, për momentin “President Besim Dina” mbetet një propozim i internetit që po argëton dhe po tërheq mijëra reagime, pikërisht në një moment kur termi “president konsensual” është rikthyer seriozisht në diskutimin politik.
Nëse partitë ende nuk e kanë gjetur emrin, TikTok të paktën e ka hedhur një në tavolinë



