Lista Serbe ka kundërshtuar hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër, që lidh Mitrovicën e Veriut me atë të Jugut, pas njoftimit nga Brukseli se janë krijuar kushtet e sigurisë për hapjen e saj.
Në një letër të hapur drejtuar Zyrës së BE-së në Prishtinë, Lista Serbe ka kërkuar që të bëhet publike analiza e sigurisë mbi të cilën është bazuar vendimi dhe ka vënë në pikëpyetje rolin e Policisë së Kosovës në garantimin e sigurisë së serbëve, transmeton Paparaci.
Sipas Listës Serbe, “hapja e urës pa pjesëmarrjen dhe pëlqimin e palës serbe në dialogun e Brukselit ngre pikëpyetje mbi vetë procesin e dialogut dhe marrëveshjet e arritura përmes tij”.
Partia ka shprehur gjithashtu shqetësim për largimin e pjesëtarëve të KFOR-it nga ura.
Lista Serbe ka kërkuar nga Bashkimi Evropian të sqarojë se kush do të mbajë përgjegjësi në rast të incidenteve apo përkeqësimit të situatës së sigurisë pas hapjes së urës.
“Siguria e njerëzve nuk duhet të jetë objekt i një eksperimenti politik”, përfundon letra e Listës Serbe.




