spot_img
spot_img

Kurti: Synimi ynë është ta transformojmë ekonominë e Kosovës dhe ta forcojmë prodhimin vendor

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se synimi i qeverisë është transformimi i ekonomisë së Kosovës, forcimi i prodhimit vendor dhe rritja e eksporteve në tregjet evropiane dhe ndërkombëtare.

Kurti i bëri këto deklarata në ceremoninë e fillimit të punimeve për ndërtimin e Parkut Industrial në fshatin Livadicë të Komunës së Podujevës, të organizuar nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT).

Ai tha se parqet industriale synojnë t’u krijojnë mundësi bizneseve vendore për zgjerimin e kapaciteteve, diasporës për të investuar në vendlindje, si dhe investitorëve të huaj për të zhvendosur një pjesë të prodhimit të tyre në Kosovë.

“Synimi ynë si qeveri është ta transformojmë ekonominë e Kosovës, ta forcojmë prodhimin vendor dhe të krijojmë sa më shumë produkte në lloje dhe në numër Made in Kosova. Jo vetëm t’i zëvendësojmë importet, por edhe të rrisim eksportet në tregjet evropiane dhe ndërkombëtare. Parqet industriale janë të menduara për bizneset vendore, të cilat duan të zgjerohen dhe të rrisin kapacitetet e tyre, për qytetarët tanë nga diaspora që duan të sjellin kapitalin dhe përvojën e tyre në vendlindje, si dhe për investitorët e huaj që shohim mundësi për të zhvendosur një pjesë të prodhimit të tyre në Kosovë”.

“Kosova ofron një sërë përparësish për investitorët. Sot fillojmë me punime, ndërsa së shpejti pres që ky park të bëhet shtëpi e madhe e re për bizneset”, tha ai.

Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Mimoza Kusari- Lila, tha se ekonomia e Kosovës është dyfishuar që nga viti 2019, ndërsa theksoi nevojën për zhvillimin e infrastrukturës industriale dhe rritjen e prodhimit vendor.

“Është fakt se ekonomia e Kosovës që nga viti 2019 është dyfishuar, shërbimet tona kanë arritur eksportin deri në 4 miliardë euro, ndërsa ende kemi sfidë me deficitin e lartë të produkteve. Për ne është shumë e rëndësishme që infrastrukturën industriale ta zhvillojmë, të ofrojmë mundësi të punës dhe prodhimit në Kosovë. Ministria është duke angazhuar në aktivizimin e 16 zonave industriale”, tha ajo.

Kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi, e ka cilësuar Parkun Industrial si një prej projekteve më të rëndësishme ekonomike për komunën.

“Një prej projekteve ekonomike më të rëndësishme në komunën tonë. Pas një pune relativisht të gjatë, më në fund po e fillojmë punën dhe po presim që fund vitin e ardhshëm bizneset tona, investitorët tanë do ta kenë një shtëpi të vetën, një mundësi shtesë”, tha ai.

TË FUNDIT

TË FUNDIT