Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka vizituar digën në liqenin e Ujmanit, i shoqëruar nga ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, kryeshefi i Ndërmarrjes Publike “Iber Lepenci”, Faruk Mujka, si dhe zyrtarë të tjerë shtetërorë.
Gjatë vizitës, Kurti ka theksuar rëndësinë e këtij liqeni për furnizimin me ujë të amvisërive, industrisë dhe veçanërisht termocentraleve “Kosova A” dhe “Kosova B”, të cilat prodhojnë energji elektrike për vendin.
Kurti tha se Ujmani paraqet një pasuri të rëndësishme për Kosovën dhe se vlera e tij rritet edhe më shumë në kohën e ndryshimeve klimatike dhe thatësirave gjithnjë e më të shpeshta.
“Kjo është pasuri e jashtëzakonshme për Republikën e Kosovës dhe gjithë qytetarët pa dallim, përfshirë këtu edhe industrinë tonë. Andaj, ne do të bëjmë me krejt çfarë dimë e mundemi që t’i mbështesim punëtorët, menaxherët që t’i shërbejnë interesit publik dhe në këto kohëra të vështira, të ndryshimeve klimatike kur thatësirat janë bërë gjithnjë e më të shpeshta e të paparashikueshme, natyrisht që vlera e Ujmanit vetëm sa rritet”, tha Kurti.
Ai bëri të ditur se liqeni i Ujmanit është akumulimi më i madh ujor në Kosovë, me gjatësi rreth 22 kilometra dhe vëllim të ujit prej rreth 350 milionë metra kub, që mund të arrijë deri në 370 milionë metra kub.
Sipas Kurtit, thellësia e liqenit në disa pjesë kalon 100 metra, ndërsa rreth dy të tretat e sasisë së ujit që ka Kosova ndodhen pikërisht në këtë liqe.
Ai foli edhe për punëtorët që operojnë në këtë zonë, duke thënë se në mirëmbajtjen dhe funksionimin e Ujmanit angazhohen punëtorë shqiptarë dhe serbë.
“Edhe shqiptarët, edhe serbët punojnë së bashku në mënyrë që t’i shërbejnë ruajtjes së Ujmanit, por njëkohësisht edhe përdorimit të mirë të tij”, tha Kurti.
Kurti përmendi edhe projektin “Flows” të Bankës Botërore, i cili parasheh vendosjen e sistemeve të alarmimit të hershëm në digë, ndërsa theksoi se diga e Ujmanit është ndërtuar gjatë viteve 1973-1979.
Ai tha se Qeveria do të vazhdojë të mbështesë punëtorët dhe menaxhmentin e ndërmarrjes në mënyrë që Ujmani të shërbejë në interes të publikut.




