Deputeti i zgjedhur i AAK-së, Burim Ramadani, i është drejtuar me një letër të hapur KFOR-it, duke kërkuar largimin e pranisë statike të forcave paqeruajtëse nga ura kryesore e Mitrovicës.
Sipas Ramadanit, ura duhet të shndërrohet në simbol të normalizimit dhe mirëbesimit, duke vlerësuar se kushtet e sigurisë kanë ndryshuar dhe institucionet e Kosovës tashmë kanë kapacitetet për të garantuar rendin dhe sigurinë.
Ai tha se prania statike e KFOR-it ka pasur rol të rëndësishëm në të kaluarën, por argumenton se masat e jashtëzakonshme duhet të zëvendësohen me normalitet.
Postimi:
Letër e hapur për praninë ndërkombëtare ushtarake NATO/KFOR
Ura e Mitrovicës simbol mirëbesimi, të largohet prania statike e KFOR
• Ka ardhur momenti që prania statike e KFOR-it në urën kryesore të Mitrovicës të largohet. Jo si dobësim i sigurisë, por si hap përpara. Sepse, kushtet janë përmbushur.
Burim Ramadani
Ura kryesore e Mitrovicës sot duhet të bëhet simbol i normalizimit dhe besimit. Ajo ka qenë për shumë vite simbol i jostabilitetit. Prania statike e KFOR-it në këtë urë ka pasur një rol të rëndësishëm në periudha kur situata e sigurisë e kërkonte. Ky kontribut meriton respekt. Por, çdo masë e jashtëzakonshme duhet të rishikohet kur kushtet ndryshojnë.
Ka momente kur një kapitull mbyllet dhe një kapitull i ri fillon. Ai moment po afrohet për urën kryesore të Mitrovicës.
Siguria nuk mbështetet duke qëndruar gjithmonë në të njëjtën pikë. Siguria ndërtohet kur institucionet forcohen, kur qytetarët fitojnë besim dhe kur masat e jashtëzakonshme zëvendësohen me normalitet.
Sot shtrohet një pyetje e drejtpërdrejtë:
· A është ende e nevojshme një prani statike në urën kryesore të Mitrovicës?
Argumentet profesionale janë të qarta dhe thërrasin për largimin e pranisë statike të KFOR-it:
1. Situata e sigurisë duhet të vlerësohet sipas realitetit të sotëm, jo sipas frikës nga e kaluara.
2. Institucionet vendore duhet të marrin përgjegjësinë, sepse kanë kapacitetet për ta garantuar sigurinë.
3. Një sistem modern sigurie mbështetet në patrullime, monitorim dhe reagim të shpejtë. Jo domosdoshmërisht në një prani të përhershme statike.
4. Një hapësirë publike në zemër të qytetit nuk duhet të mbetet përgjithmonë simbol i një situate të jashtëzakonshme.
5. Misionet paqeruajtëse duhet të përdorin burimet aty ku nevoja operative është më e madhe.
6. Qëllimi final i çdo misioni të suksesshëm është që një ditë prania e tij të mos jetë më e domosdoshme.
Prandaj, ka ardhur momenti që prania statike e KFOR-it në urën kryesore të Mitrovicës të largohet. Jo si dobësim i sigurisë. Sepse, kushtet janë përmbushur.
Pra, si dëshmi se siguria është forcuar. Jo si tërheqje, por si hap përpara.
Sepse një urë nuk duhet të ruhet përgjithmonë nga ushtarët. Një urë duhet të mbrohet nga besimi qytetar, ligji dhe normaliteti.
Ky është momenti që ura e Mitrovicës të fillojë një kapitull të ri. Pa praninë statike të KFOR-it.




