Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se këtë fundjavë vendi do të përballet me mot kryesisht me diell dhe temperatura të larta, të cilat pritet të arrijnë deri në 36 gradë Celsius.
Sipas parashikimit të IHMK-së, të shtunën (1 gusht) do të mbajë mot i nxehtë dhe kryesisht me diell. Temperaturat minimale pritet të lëvizin ndërmjet 11 dhe 16 gradë Celsius, ndërsa maksimalet nga 31 deri në 36 gradë Celsius.
“Të shtunën mbi vendin tonë do të mbajë mot kryesisht me diell dhe i nxehtë. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 11°C dhe 16°C, ndërsa maksimalet do të arrijnë 31°C deri në 36°C”, thuhet në njoftimin e IHMK-së.
Dhe dita e diel pritet të karakterizohet nga mot shumë i nxehtë, me temperatura maksimale që sërish do të arrijnë deri në 36 gradë Celsius.
“Të dielën do të mbajë mot kryesisht me diell dhe shumë i nxehtë. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 11°C dhe 16°C, ndërsa maksimalet ndërmjet 32°C dhe 36°C”, njofton IHMK.
Instituti ka bërë të ditur se indeksi UV do të jetë i lartë, ndaj qytetarëve u rekomandohet të shmangin ekspozimin e drejtpërdrejtë në diell gjatë orëve 10:00-17:00, të përdorin mjete mbrojtëse dhe të konsumojnë sasi të mjaftueshme të ujit.
IHMK ka paralajmëruar se kushtet biometeorologjike do të jenë relativisht të pafavorshme, veçanërisht gjatë orëve më të nxehta të ditës.
“Temperaturat e larta dhe rrezatimi i fortë diellor mund të shkaktojnë lodhje, dehidrim dhe shqetësime te personat me sëmundje kronike, fëmijët dhe të moshuarit”, thuhet në njoftim.
Qytetarëve u rekomandohet të shmangin aktivitetet e rënda fizike në ambiente të hapura gjatë mesditës dhe të qëndrojnë në ambiente të freskëta dhe të ajrosura.
Sa i përket kushteve agrometeorologjike, IHMK ka bërë të ditur se moti me diell dhe temperaturat e larta do të favorizojnë pjekjen dhe vjeljen e kulturave bujqësore, por ka kërkuar ujitje të rregullt për kulturat që ndodhen në faza më të ndjeshme të zhvillimit.




