Ushtria shqiptare është pajisur me 40 mjetet e para taktike të prodhuara në Shqipëri sipas standardeve të NATO-s, nga kompania “Timak Defence”, ku është pronar dhe shteti shqiptar. Në ceremoninë e dorëzimit, kryeministri Edi Rama e cilësoi këtë një hap të rëndësishëm për industrinë ushtarake shqiptare, duke thënë se vendi po hyn në një fazë të re të prodhimit të pajisjeve të mbrojtjes.
Rama tha se objektivi është që brenda vitit 2028 Forcat e Armatosura të kenë të gjitha mjetet dhe kapacitetet sipas standardeve të NATO-s. Madje, nuk përjashtoi as mundësinë që Shqipëria të pajisje me prodhime ‘made in Albania’ edhe ushtrinë më të fuqishme të botës, atë amerikane.
“Brenda 2028, ushtria shqiptare do t’i këtë të gjitha mjetet, të gjitha kapacitete, që nga makina më e lehtë, deri te armët më të sofistikuara. Do ketë flotë mjetesh të madhe sipas standardeve të NATO-s, për numër forcash, për kilometër për territor, do jetë e pajisur me shumëçka tjetër që ka nisur të projektohet dhe prodhohet në vend. Mos u çudisni të ekspozojmë gjëra të prodhuara këtu që do t’ia japim edhe ushtrisë më të madhe të botës, ushtrisë amerikane. Parafytyroni një ushtar të SHBA me prodhime ‘made in Albania’. Kush do ta kishte imagjinuar sikur tua thoshin deri pak vite më parë. Kjo është Shqipëria tjetër që ne kemi ndërtuar dhe do nisë të japë të tjera lloj rendimentesh dhe të tjera lloj produktesh duke pasur këtu parasysh industrinë ushtarake”, tha Rama.
Kryeministri njoftoi gjithashtu se aktualisht po prodhohen edhe 14 automjete të reja zjarrfikëse.
“14 zjarrfikëse të reja po prodhohen nga TIMAK. 14 zjarrfikëse ne nuk i kemi bërë dot bashkë në 14 vite, kur e morëm Shqipërinë pa zjarrfikëse. Sot kemi një flotë zjarrfikësesh, por të pamjaftueshme”, theksoi Rama.
Kryeministri thotë se mbrojtja e samitit të NATO-s në Tiranë do të bëhet me dronë inteligjentë, ndërsa bëri me dije se Shqipëria do të pajiset me mbrojtjen më të sofistikuar kundërajrore.



