Ministri në detyrë i Punës, Familjes dhe Vlerave të Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, ka njoftuar se nga 1 shtatori Inspektorati Qendror i Punës do të kalojë në një sistem plotësisht digjital të inspektimeve.
E gjithë kjo me synimin për të rritur efikasitetin dhe transparencën në mbikëqyrjen e vendeve të punës.
“Me qëllim të forcimit të mbikëqyrjes inspektuese, kam marrë vendim që, nga 1 shtatori, Inspektorati Qendror i Punës të kalojë në inspektime plotësisht digjitale”, ka njoftuar Hoti.
Sipas tij, sistemi i ri do të mundësojë dokumentimin e inspektimeve në kohë reale, duke rritur transparencën dhe llogaridhënien e institucioneve përgjegjëse.



