spot_img
spot_img

Ia shpëtoi jetën 9 vjeçares, merr falënderim prekës nga familja: Njerëz si ju na japin besim dhe shpresë

Kryetar i Sindikatës së Policisë së Kosovës, zyrtari policor Avdi Hoti, ka pranuar një letër falënderimi nga familja Bytyqi, pasi me reagimin e tij të shpejtë dhe profesional i shpëtoi jetën një vajze 9-vjeçare.

Ngjarja ndodhi më 24 korrik në autostradë, pranë “Kroit të mbretit”, kur familjarët ndaluan veturën e Hotit duke kërkuar ndihmë urgjente për vajzën, e cila kishte humbur vetëdijen dhe nuk merrte frymë.

Hoti i ofroi menjëherë ndihmën e parë, njoftoi policinë përmes numrit emergjent 192 dhe, falë ndërhyrjes së tij, arriti t’ia rikthente frymëmarrjen vajzës deri në mbërritjen e autoambulancës, e cila më pas e transportoi për trajtim mjekësor.

Në letrën e falënderimit, familja Bytyqi shprehu mirënjohjen e thellë për profesionalizmin, qetësinë dhe humanizmin e treguar nga Hoti, duke theksuar se reagimi i tij ishte vendimtar për shpëtimin e jetës së vajzës.

Ky rast është vlerësuar si një shembull i përkushtimit dhe humanizmit që zyrtarët policorë tregojnë në mbrojtje të jetës dhe sigurisë së qytetarëve.

Mesazhi i plotë i familjes Bytyqi:

I nderuar z. Avdi Hoti

Dua t’ju shpreh falënderimin tim më të sinqertë për ndihmën dhe përkushtimin tuaj. Kur vajza ime humbi ndjenjat në autostradë, isha i frikësuar dhe nuk dija si të veproja.

Qetësia, profesionalizmi dhe gatishmëria juaj për të na ndihmuar në ato momente të vështira do të mbeten gjithmonë në kujtesën time. Falë jush, vajza ime mori ndihmën e nevojshme në kohë.

Ju falënderoj nga zemra jo vetëm për detyrën që kryet, por edhe për humanizmin dhe kujdesin që treguat ndaj nesh. Njerëz si ju na japin besim dhe shpresë.

Ju uroj shëndet, mbarësi dhe suksese në punën tuaj. Zoti ju bekoftë dhe ju ruajttë gjithmonë.

Me mirënjohje të thellë,

TË FUNDIT

TË FUNDIT