Një nga personat që dyshohet se mund të jetë në mesin e 23 viktimave të gjetura në një varr masiv në Zubin Potok është edhe Adem Ademi.
Motra e tij, Feride Idrizi, ka rrëfyer për “Edicionin Special” në Klan Kosova se lajmi për dyshimet mbi vendndodhjen e trupave u ka dhënë familjarëve një fije shprese për të zbuluar më në fund fatin e vëllait të saj, pas më shumë se dy dekadash pasigurie.
Feride Idrizi ka treguar edhe për kontaktin e fundit me vëllain e saj, disa ditë para se ai të nisej në drejtim të Malit të Zi.
Ajo ka thënë se Ademi e kishte kërkuar ndihmën e saj për të siguruar barna për trajtimin e të plagosurve.
Sipas saj, Ademi nuk kishte pasur asnjëherë plan të largohej nga Kosova, pasi ishte i angazhuar për të ndihmuar të plagosurit dhe luftën për çlirimin e vendit.



