Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka vazhduar të hënën seanca gjyqësore ndaj Dragisha dhe Jovan Viqentijeviqit, si dhe Igor Dimoviqit, të akuzuar për sulmin ndaj kanalit të “Ibër-Lepencit”. Në seancë dëshmoi Ernest Kërçeli, drejtor i Infrastrukturës në “Ibër-Lepenc”, në cilësinë e dëshmitarit dhe përfaqësuesit të palës së dëmtuar.
Me dëshminë e drejtorit të Departamentit të Ujit dhe Gjenerimit në ndërmarrjen “Ibër-Lepenc”, Ernest Kerqeli, ka vazhduar të hënën në Gjykatën Themelore në Prishtinë procesi gjyqësor ndaj tre të akuzuarve për sulmin në kanalin e “Ibër-Lepencit”.
Kerqeli deklaroi para trupit gjykues se shpërthimi i 29 nëntorit 2024 në Varagë të Zubin Potokut i shkaktoi ndërmarrjes dëme prej mbi 376 mijë eurosh, ndërsa furnizimi me ujë për ujësjellësit u ndërpre nga tri deri në pesë ditë.
Ai tregoi se pas njoftimit për shpërthimin, ekipet e ndërmarrjes u mobilizuan menjëherë për të vlerësuar situatën dhe për të siguruar vazhdimin e furnizimit me ujë, veçanërisht për Termocentralin “Kosova B”.
“Kur mbërritëm në vendngjarje pamë se dëmi ishte jashtëzakonisht i madh. Si ndërmarrje nuk ishim ballafaquar asnjëherë me një dëmtim të tillë”, tha Kerqeli.
Sipas tij, pas marrjes së lejes nga Policia e Kosovës, ekipet vendosën një zgjidhje të përkohshme me gjashtë gypa me diametër mbi 900 milimetra, për të mundësuar vazhdimin e rrjedhës së ujit.
Kerqeli theksoi se kanali i “Ibër-Lepencit” është infrastrukturë jetike për vendin, pasi siguron ujë për prodhimin e energjisë elektrike dhe furnizon me ujë të pijshëm mbi gjysmën e popullsisë së Kosovës.
“Pa këtë kanal nuk mund të funksionojë sistemi energjetik i Kosovës. Uji është i domosdoshëm për ftohjen e turbinave të Termocentralit ‘Kosova B’, ndërsa mbi 500 mijë banorë furnizohen me ujë nga ky kanal”, deklaroi ai.
Ai shtoi se gjatë natës së sulmit ishte rikthyer rreth 75 për qind e kapacitetit të furnizimit, por ujësjellësit mbetën me furnizim të kufizuar për disa ditë.
“Furnizimi për ujësjellësit ka qenë i ndërprerë nga tri deri në pesë ditë dhe edhe më pas nuk kanë funksionuar me kapacitete të plota”, tha Kerqeli.
Duke folur për pasojat financiare, ai bëri të ditur se dëmet u sanuan përmes një projekti rehabilitimi të financuar nga një kredi e Bankës Botërore.
“Raporti i përgatitur nga kompania mbikëqyrëse tregon se dëmi i shkaktuar është mbi 376 mijë euro”, u shpreh ai.
I pyetur nga mbrojtja nëse i njihte ose i kishte takuar ndonjëherë të akuzuarit, Kerqeli u përgjigj se nuk i njeh.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, të tre të pandehurit ngarkohen për armëmbajtje pa leje, ndërsa Dragisha dhe Jovan Viqentijeviqi akuzohen edhe për veprat penale të rrezikimit të rendit kushtetues me shkatërrimin ose dëmtimin e instalimeve publike, kryerjes së veprës terroriste dhe spiunazhit.
Aktakuza lidhet me shpërthimin e 29 nëntorit 2024 në fshatin Varagë të Zubin-Potokut, ku u dëmtua kanali i “Ibër-Lepencit”, një infrastrukturë me rëndësi jetike për furnizimin me ujë dhe energji në Kosovë.
Sipas dokumentit të Prokurorisë, Jovan Viqentijeviqi ka deklaruar gjatë hetimeve se ishte trajnuar në poligonin ushtarak serb “Pasulanske Livade”, së bashku me rreth 120 persona të tjerë, në shtator të vitit 2023.
Prokuroria pretendon se në të njëjtën periudhë në këtë poligon janë stërvitur edhe pjesëtarë të grupit të udhëhequr nga Milan Radoiçiq, i akuzuar për sulmin e armatosur në Banjskë.
Në aktakuzë përfshihet edhe deklarimi i Viqentijeviqit se ishte planifikuar një tjetër sulm në Kosovë gjatë tetorit të vitit të kaluar, por që, sipas tij, ishte anuluar nga Radoiçiqi.
Po ashtu, Prokuroria ka përfshirë në dosje edhe një ekspertizë të Byrosë Federale të Hetimit të SHBA-së (FBI), sipas së cilës në çizmet e të akuzuarve është identifikuar material dheu me përbërje të njëjtë me mostrat e marra në vendin e shpërthimit në kanalin e “Ibër-Lepencit”.
Procesi gjyqësor pritet të vazhdojë me dëgjimin e dëshmitarëve dhe administrimin e provave të tjera të propozuara nga palët./rtk



