spot_img
spot_img

Këto janë vendimet që mori sot Qeveria në detyrë

Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës ka mbajtur sot mbledhjen e rregullt, ku ka miratuar një sërë vendimesh në fusha të ndryshme, përfshirë administratën publike, shëndetësinë, digjitalizimin, kulturën dhe marrëveshjet ndërkombëtare.

Në njoftimin e Qeverisë bëhet e ditur se është miratuar Rregullorja për Zhvillimin e Procedurave të Rekrutimit për Zjarrfikës, e cila përcakton rregullat dhe procedurat për pranimin e zjarrfikësve në Njësitë Profesionale të Zjarrfikjes dhe Shpëtimit.

“Rregullorja përcakton rregullat dhe procedurat për pranimin e zjarrfikësit në Njësitë Profesionale të Zjarrfikjes dhe Shpëtimit, në pajtim me parimet themelore të përcaktuara në Ligjin për Zyrtarë Publikë”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Në mbledhje është miratuar edhe vendimi për qiradhënien e një sipërfaqeje prej 61 mijë e 402.9 metrash katrorë në Zonën Kadastrale Raçak të Komunës së Shtimes, për një periudhë 15-vjeçare, për nxjerrjen dhe shfrytëzimin e gurit gëlqeror.

Po ashtu, Qeveria ka miratuar dhënien në shfrytëzim të një hapësire prej rreth 30 ari nga Agjencia Pyjore e Kosovës për Ministrinë e Drejtësisë, me qëllim krijimin e kushteve infrastrukturore për nevojat e kësaj ministrie.

Një tjetër vendim i miratuar lidhet me mbështetjen financiare për specializantet lehona, të cilat janë kthyer nga pushimi i lehonisë dhe nuk kanë përfunduar modulet e trajnimit specialistik për shkak të ndërprerjes së programit gjatë kësaj periudhe.

Qeveria ka miratuar edhe Kornizën për Ndërtimin e Kapaciteteve Digjitale për Qeverinë e Kosovës, e cila, sipas njoftimit, do të shërbejë si model për zhvillimin e aftësive digjitale në administratën publike.

“Do të shërbejë si një model që siguron një qasje të unifikuar për zhvillimin e aftësive digjitale thelbësore për qeverisje efektive, ofrimin e shërbimeve dhe inovacionin në një mjedis digjital”, thuhet në njoftim.

Në fushën e integrimit evropian, Qeveria ka miratuar në parim nismën për lidhjen e marrëveshjes me Bashkimin Evropian për aderimin në zonën “EU Roam Like Home”, e cila do të mundësojë përdorimin e shërbimeve roaming pa tarifa shtesë, pas përmbushjes së kushteve të parapara.

Po ashtu është miratuar në parim edhe nisma për marrëveshjen e grantit ndërmjet Kosovës, “Termokosit” dhe Bankës Evropiane për Investime për projektin e zgjerimit të sistemit të ngrohjes qendrore në Prishtinë.

Në mbledhje është vendosur edhe rialokimi i 2 milionë eurove nga Programi për Grantin e Performancës Komunale në 15 projekte kapitale në komuna të ndryshme.

Ndër vendimet e tjera është edhe themelimi i Këshillit Kombëtar të Arteve, i cili, sipas Qeverisë, do të shërbejë si mekanizëm institucional për zhvillimin e politikave publike në fushën e artit dhe kulturës.

“Ky mekanizëm do të forcojë zhvillimin e politikave publike në fushën e artit dhe kulturës, duke garantuar profesionalizëm, pavarësi dhe përfaqësim të denjë të komunitetit artistik”, thuhet në njoftim.

Qeveria ka bërë të ditur gjithashtu se ka ndarë 9 mijë e 480 euro për programin “OringinAL”, që synon promovimin e Kosovës në nivel ndërkombëtar përmes turizmit, kulturës dhe bashkëpunimit me diasporën.

Në fund, është miratuar edhe propozimi për autorizimin e ministrit të Financave për nënshkrimin e Marrëveshjes së Kredisë me Agjencinë Franceze për Zhvillim për Projektin e Lojërave Mesdhetare XXI në Kosovë, si dhe është riaprovuar Raporti Vjetor Financiar për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2025.

TË FUNDIT

TË FUNDIT