Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se, sipas të dhënave që ka në dispozicion, ish-gjyqtarët dhe ish-prokurorët serbë, si dhe stafi administrativ mbështetës, kanë përfituar mjete financiare nga Serbia edhe gjatë kohës sa kanw ushtruar funksione në institucionet e drejtësisë së Republikës së Kosovës.
“Pra edhe gjatë kohës sa ata kanë qenë prokurorë e gjyqtarë janë paguar nga Serbia. Lojaliteti i treguar për Serbinë është shpërblyer edhe me mjete financiare në kohën kur është pritur që të njëjtit të ushtrojnë mandatin e tyre në dobi të qytetarëve. Ka shumë raste, disa prej tyre edhe publike, ku ish-gjyqtarë e prokurorë kanë marrë pjesë në takime të ndryshme në Serbi, si dhe në Kosovë, ku janë diskutuar plane e janë marrë vendime për bllokim të rrugëve”, tha Haxhiu në konferencën për media.
Ajo ka theksuar se asnjë shtet demokratik nuk do ta pranonte një situatë ku gjyqtarë e prokurorë të “dirigjohen” nga një shtet tjetër, referuar reagimeve të partenerëve ndërkombëtarë.
“Imagjinoni, të nderuar gazetarë, në sistemin tonë të drejtësisë të kemi gjyqtarë dhe prokurorë që i binden urdhrave të një shteti tjetër — në këtë rast të Serbisë! Kush nga partnerët tanë ndërkombëtarë që sot bëjnë presion mbi këto këshilla, kush nga ata do të lejonte që në shtetet e tyre të kishte gjyqtarë dhe prokurorë që dirigjohen nga një shtet tjetër? Dhe kush nga këta partnerë ndërkombëtarë që neve na thërrasin gjithnjë për sundim të ligjit dhe për pavarësi të sistemit të drejtësisë, kush nga këta do të kërkonte nga gjyqtarët dhe prokurorët që janë anëtarë të këshillave të vendosnin diçka që është në kundërshtim me legjislacionin në fuqi”, tha ajo.



