Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) paralajmëroi të martën qytetarët për stuhi të fuqishme në të gjithë territorin e vendit, duke ngritur nivelin e alarmit në nivel portokalli, por në pjesën më të madhe të Kosovës nuk u regjistruan kushtet ekstreme të paralajmëruara.
Në njoftimin zyrtar, IHMK kishte bërë të ditur se gjatë 22 korrikut priteshin zhvillime të fuqishme konvektive, të shoqëruara me stuhi lokale, reshje intensive shiu, breshër dhe erëra të forta me karakter stuhish.
Instituti kishte paralajmëruar edhe për pasoja të mundshme, si goditje nga rrufetë, dëmtime në rrjetin elektroenergjetik dhe telekomunikacion, përmbytje të shpejta lokale, dëmtime në objekte, automjete, infrastrukturë e kultura bujqësore, si dhe rrezik për zjarre të shkaktuara nga shkarkimet atmosferike.
Po ashtu, IHMK u kishte bërë thirrje qytetarëve të shmangnin qëndrimin në ambiente të hapura, të mos strehoheshin nën pemë apo pranë shtyllave elektrike, të mbronin pronën dhe automjetet, si dhe të ndiqnin udhëzimet e institucioneve deri në përfundim të periudhës së paralajmërimit.
Megjithatë, pas përfundimit të ditës, shumë qytetarë reaguan në rrjetet sociale, duke vlerësuar se parashikimi nuk u realizua dhe kërkuan sqarime nga institucioni.
Një qytetar shkroi:
“Ni report jav’bana në fb për info të rrejshme. S’ju vjen turp, paguheni me pare të taksapaguesve edhe me mbjellë shqetësim dhe panik në popullatë.”
Një tjetër komentoi:
“Qysh more nuk ju vjen turp edhe qysh e ndini veten ke ket parashikim të dështum? Marre duhet me ju ardh!”
Deri më tani, Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës nuk ka publikuar ndonjë sqarim apo reagim lidhur me dallimin ndërmjet paralajmërimit të lëshuar dhe situatës meteorologjike të regjistruar gjatë ditës.




