spot_img
spot_img

NATO përgjigjet pas raportimeve mbi tërheqjen e KFOR-it nga Ura e Ibrit

NATO ka deklaruar se është duke optimizuar gradualisht praninë e misionit të KFOR-it në Kosovë, por ka theksuar se çdo ndryshim do të bazohet në vlerësimet e sigurisë dhe mund të rishqyrtohet nëse situata në terren e kërkon.

Reagimi erdhi pasi mediumi serb Kosova Online kërkoi koment lidhur me raportimet se KFOR-i synon të tërhiqet nga ura kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë dhe nga sigurimi i Manastirit të Deçanit.

Në përgjigjen me shkrim, një zyrtar i NATO-s rikujtoi deklaratën e mëparshme të Aleancës, duke theksuar se optimizimi i pranisë së KFOR-it do të zhvillohet në mënyrë graduale, transmeton Zeri.info

“Bazuar në vlerësimet e vazhdueshme të sigurisë dhe diskutimet me ekspertë rajonalë, NATO ka filluar të optimizojë praninë e KFOR-it në Kosovë. Kjo do të ndodhë gradualisht me kalimin e kohës dhe në vende të ndryshme në të gjithë vendin, me forcën aktuale të KFOR-it që do të përshtatet gjatë vitit të ardhshëm ose më shumë në nivelet që ekzistonin para vitit 2023”, thuhet në deklaratë.

NATO thekson se qëllimi është që misioni i KFOR-it të mbetet i fokusuar aty ku nevojat për siguri janë më të mëdha.

“Kjo siguron që misioni ynë ushtarak të mbetet i përshtatshëm për qëllimin dhe i përqendruar aty ku siguria është më e nevojshme, ndërsa kërkohet një zgjidhje politike. Nëse kërkohet nga zhvillimet përkatëse të sigurisë, optimizimi, i cili do të zhvillohet në përputhje me kushtet në terren, mund të përmbyset”, thuhet më tej.

Në fund të deklaratës, NATO rithekson mbështetjen për dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“NATO vazhdon të mbështesë dialogun e lehtësuar nga BE-ja midis Beogradit dhe Prishtinës dhe u bën thirrje të dyja palëve të angazhohen për të zgjidhur çështjet e pazgjidhura dhe për të arritur një zgjidhje që respekton të drejtat e të gjitha komuniteteve. Kjo është thelbësore për sigurinë e qëndrueshme në Kosovë dhe stabilitetin në rajon”, përfundon deklarata.

TË FUNDIT

TË FUNDIT