Kryeministri në detyrë dhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se takimi me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, dhe ish- presidenten Vjosa Osmani, ka kaluar në një atmosferë konstruktive, por pa ndonjë rezultat konkret.
Pas takimit që zgjati më shumë se dy orë, Kurti tha se diskutimet u përqendruan në zhvillimet politike, dinamikat institucionale dhe hapat që e presin vendin drejt konstituimit të legjislaturës së 11-të.
“Pas takimit paradite me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza, tash në orët e pasdites zhvilluam takim edhe me LDK-në, me kryetarin Lumir Abdixhiku dhe Vjosa Osmanin. Takimi shkoi në një atmosferë konstruktive, ku diskutuam shumë çështje të zhvillimeve politike, dinamikave institucionale dhe njëkohësisht edhe orarin që na pret përpara sa i përket konstituimit të legjislaturës së 11-të”, tha Kurti.
Ai bëri të ditur se ky ishte takimi i parë pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve dhe se palët kanë ende rreth katër javë kohë para se të nisë seanca konstituive.
“Ishte takimi i parë. Të gjithë e dimë që pardje u bë certifikimi. I kemi edhe katër javë përpara për fillimin e seancës konstituive për ta zgjedhur kryetarin apo kryetaren e Kuvendit, kryesinë e pastaj edhe Qeverinë me mandat të ri dhe Presidentin”, u shpreh Kurti.
Megjithatë, ai tha se nga takimi nuk është arritur ndonjë përfundim që mund të bëhet publik.
“Kemi diskutuar për të gjitha këto, por ende nuk kemi ndonjë konkluzion apo të arritur që do të mund ta ndanim me juve”, tha Kurti.
Kreu i LVV-së u shpreh optimist për procesin e ardhshëm, duke thënë se pret që kjo qasje të vazhdojë edhe në takimet e tjera.
“Jam optimist për rrugën përpara. Kam shpresë që racionaliteti që po mbizotëron do të vazhdojë në këto takime. Do të ketë edhe takime tjera”, deklaroi Kurti./Reporteri.net/





