Komunikimi politik ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë është përshkallëzuar sërish.
Ministri i Brendshëm i qeverisë shqiptare Taulant Balla ka akuzuar publikisht një deputet të zgjedhur të Lëvizjes Vetëvendosje dhe një ish-eksponent të kësaj partie për pjesëmarrje në protestat në Tiranë.
Balla i ka identifikuar Egzon Azemin, deputet i zgjedhur i Kuvendit të Kosovës dhe Besnik Mujecin, ish-asamblist në Kuvendin Komunal të Prishtinës, si dy pjesëmarrës nga Kosova në protestat në Tiranë. I ka quajtur “sorra”.
“Kur unë flas për sorra inkubatorësh të urrejtjes nga Prishtina dhe Tetova, të cilët maskohen si shqiponja diaspore e kam fjalen për tipa si këta në video që sigurisht nuk kanë si të jenë pro qeverisë së Tiranës”, ka shkruar Balla në një postim në Facebook të mërkurën.
Ai ka përmendur rastin e arrestimit në Shqipëri për trafikim të substancave narkotike të njërit prej tyre: Besnik Mujecit.
“Normal janë kundër Edi Ramës. Edhe kundër meje, pse jo. Sepse i kemi arrestuar me 11 mijë doza drogë”, ka thënë ministri i Brendshëm.
Besnik Mujeci, ish-asamblist në Kuvendin Komunal në Prishtinë, ishte arrestuar në vitin 2023 nën dyshimin për trafikim të substancave narkotike.





