Pas një beteje dyvjeçare me kancerin, Ardi Ahmeti nga Vushtrria ka ndarë me publikun një lajm që ka prekur zemrat e shumë njerëzve.
Përmes një postimi emocional, ai bëri të ditur se ka përfunduar me sukses 15 seancat e imunoterapisë të zhvilluara gjatë dy viteve të fundit, ndërsa rezultatet e fundit mjekësore kanë qenë shumë pozitive.
“Para dy vitesh, në këtë datë, shpresat ishin pothuajse zero. Sot ra zilja e shpresës. Nuk është vetëm gëzimi im, por i familjes, miqve dhe i çdo njeriu që është lutur për mua”, ka shkruar Ahmeti.
Në mesazhin e tij, ai shprehet se kjo ditë nuk shënon vetëm një sukses në aspektin mjekësor, por është një festë e jetës, e shpresës dhe e mundësisë për të vazhduar rrugëtimin pranë njerëzve të tij më të dashur.
“Dua që një ditë fëmijët e mi të më thonë: ‘Bravo babi, ia dole’. Sot besoj se ajo ditë ka ardhur”, ka përfunduar ai, duke përcjellë një mesazh frymëzues për të gjithë ata që po përballen me sfida të ngjashme shëndetësore.




