23.9 C
Mitrovice
E premte, 3 Korrik, 2026
spot_img
spot_img

Boom i mallrave serbe në Kosovë, mbi 112 milionë euro për gjashtë muaj nëpër rafte të marketeve

Të dhënat zyrtare të Doganës së Kosovës tregojnë se importet e mallrave nga Serbia kanë kaluar 112.3 milionë euro gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026, rreth 1.8 milion euro më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Importi i mallrave nga Serbia në Kosovë ka vazhduar të rritet edhe gjatë vitit 2026. Sipas të dhënave zyrtare të publikuara në platformën Open Data të Doganës së Kosovës, vlera e importeve nga Serbia gjatë periudhës janar-qershor ka kaluar 112 milionë euro.

Të dhënat tregojnë se nga 1 janari deri më 30 qershor 2026, Kosova ka importuar mallra nga Serbia në vlerë prej 112 milionë e 301 mijë e 46 euro.

Në të njëjtën periudhë të vitit 2025, importet nga Serbia kishin arritur në 110 milionë e 531 mijë e 726 euro, që nënkupton një rritje prej 1 milion e 769 mijë e 320 euro, ose rreth 1.6 për qind në baza vjetore.

Shifrat e Doganës tregojnë se Serbia vazhdon të mbetet një nga partnerët kryesorë tregtarë të Kosovës për importe. Sipas të dhënave nëpër vite të Doganës së Kosovës, importet nga Serbia kanë lëvizur ndjeshëm në vitet e fundit

Gjatë vitit 2021, vlera e mallrave të importuara ishte rreth 300 milionë euro, ndërsa në vitin 2022 u rrit në rreth 371 milionë euro, duke shënuar nivelin më të lartë të viteve të fundit.

Në vitin 2023, importet ranë në rreth 198 milionë euro, ndërsa gjatë vitit 2024 u regjistruan importe në vlerë prej rreth 129 milionë euro.
Një pjesë e konsiderueshme e importeve nga Serbia ka të bëjë me produkte ushqimore dhe lëndë të para.

Gjatë vitit të kaluar, ndër produktet me vlerën më të lartë ishte edhe gruri “jo durum”, importi i të cilit arriti në rreth 11 milionë euro, sipas statistikave doganore.

Nëse ritmi aktual i importeve vazhdon edhe gjatë gjysmës së dytë të vitit, vlera e mallrave të importuara nga Serbia pritet të jetë më e lartë se ajo e regjistruar gjatë vitit 2025.

Të dhënat e publikuara në Open Data të Doganës së Kosovës tregojnë gjithashtu se, gjatë viteve të fundit, vlera e importeve nga Serbia ka mbetur në nivele të larta.

Edhe të dhënat nga tregtia e jashtme e mallrave në Kosovë të publikuara nga ASK tregojnë për një rritje të deficitit tregtar prej 4,0 % në muajin maj 2026, në raport me periudhën e njëjtët të vitit 2025, gjegjësisht në vlerë prej 544,4 milionë uro, krahasuar me deficitin prej 523,4 milionë euro në vitin 2025.

Eksporti mbulon importin me 14,7 %.

Eksporti i mallrave në muajin maj 2026 kishte vlerën 94,1 milionë euro, ndërsa importi 638,6 milionë euro, që është një rritje prej 15,7 % për eksport, si dhe një rritje prej 5,6 % për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2025.

“Sipas të dhënave të grupeve kryesore të importit: 15,2 % e përbëjnë produktet minerale, 12,6 % e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani, 12,0 % e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 11,7 % e përbëjnë mjetet e transportit; 10,8 % e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre”.

Çështja e importeve nga Serbia ka qenë vazhdimisht pjesë e debatit politik në Kosovë. Lëvizja Vetëvendosje, para ardhjes në pushtet, kishte kritikuar ashpër tregtinë me Serbinë dhe hyrjen e mallrave serbe në tregun e Kosovës. Megjithatë, statistikat zyrtare tregojnë se edhe gjatë qeverisjes së saj importet nga Serbia kanë vazhduar./gazetametro.net

TË FUNDIT

TË FUNDIT