Një 15-vjeçar ka mbetur i plagosur me thikë pas një përleshjeje mes të miturve pranë Liqenit Akumulues, te restoranti “Ujvara” në Mitrovicë.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se ngjarja ka ndodhur rreth orës 15:40, kur Policia ka pranuar informacion se një person ishte therur me thikë.
Menjëherë pas njoftimit, njësitet policore dhe autoambulanca kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku kanë gjetur të lënduar një të mitur, i cili kishte plagë në këmbën e majtë. Ai është transportuar në Emergjencë, ku mjekët kanë konstatuar se bëhet fjalë për lëndime të lehta trupore.
Gjatë intervistimit në prani të prindit kujdestar, viktima ka deklaruar se para sulmit kishte pasur një mosmarrëveshje verbale me tre të mitur, të moshës rreth 10 deri në 12 vjeç, të cilët pas incidentit janë larguar nga vendi i ngjarjes.
Me urdhër të Prokurorit kujdestar, rasti është iniciuar për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”, ndërsa Policia ka nisur sigurimin e pamjeve nga kamerat e sigurisë dhe veprimet hetimore për identifikimin e të dyshuarve.
Hetimet janë në vazhdim.




