“Jeta politike e zonjës Osmani, dinjiteti, përgjegjësia me të cilën ajo ka përfaqësuar qytetarët në secilën pozitë institucionale dhe së fundmi mbi 300 mijë vota të qytetarëve të Kosovës, unë besoj se e kanë paraqitur para pozitës dhe opozitës, para të gjithë deputetëve, neve si qeveri se Vjosa Osmani duhet të jetë presidente e re e Republikës së Kosovës”, deklaronte në vitin 2021 kryeministri Albin Kurti.
Më 4 prill 2021, me 71 vota për, Kuvendi i Kosovës e zgjodhi në atë kohë Vjosa Osmanin presidente për një mandat pesëvjeçar, si kandidate e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje.
Kuorumin për zgjedhjen e Osmanit ia mundësoi ish-partia e saj, Lidhja Demokratike e Kosovës, ndonëse në opozitë.
Megjithatë, disa vite më vonë, marrëdhënia politike mes Osmanit dhe Kurtit mori kah tjetër, raporton Klankosova.tv.
Me t’iu afruar fundit të mandatit të saj presidencial, Osmani pati deklaruar publikisht se e synon edhe një pesëvjeçar në krye të shtetit.
Por, përkrahja që e pati 5 vite më parë nga LVV-ja, kësaj radhe nuk i erdhi. Madje, Lëvizja Vetëvendosje nuk e propozoi fare si kandidate për presidente.
Kurti e arsyetoi këtë qëndrim me mungesën e votave të nevojshme në Kuvend, duke deklaruar se Osmani nuk do të mund të siguronte 80 votat e domosdoshme në fazat e para të votimit.
Vetëvendosje propozoi emra të tjerë: Glauk Konjufcën dhe Fatime Kollçakun.
Në seancën e mbajtur më 5 mars të këtij viti, që ishte edhe afati i fundit kushtetues për të zgjedhur presidentin, këto kandidatura u hodhën për votim, por procesi dështoi për shkak të mungesës së kuorumit, pasi opozita braktisi sallën.
Kjo bëri që kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, të shpallte seancën të mbyllur, por jo të përfunduar.
Një ditë më pas, më 6 mars, Osmani ndërmori një hap duke dekretuar shpërndarjen e Kuvendit dhe hapjen e rrugës për zgjedhje të reja, meqë sipas saj, përfaqësuesit e vendit “vendosën ta çojnë vendin në zgjedhje”.
“Nëpërmjet këtij dekreti po kryej detyrimin kushtetues i cili është i përcaktuar qartë…Është fatkeqësi e madhe që deputetët nuk zgjodhën interesin e Kosovës”, thoshte Osmani në adresimin e saj për mediat.
Dekreti, megjithatë, u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës rreth 1 muaj më pas, duke konstatuar se i njëjti nuk kishte efekt juridik dhe vendosi 28 prillin si afatin e fundit për zgjedhjen e presidentit.
Gjatë kësaj kohe, partitë parlamentare zhvilluan takime e bisedime – por pa epilog për çështjen e presidentit.
Duke e parë dështimin e tij, kryeministri Kurti, të premten mbrëma, doli me një adresim duke ua vënë fajin në tërësi partive opozitare për moszgjidhjen e çështjes së presidentit.
Megjithatë, mëngjesin e së shtunës, LVV-ja doli me një propozim të ri: opozita të ofrojë tre emra për president konsensual, me zotimin se njëri prej tyre do të votohej.
PDK e refuzoi ofertën, duke e cilësuar çështjen e presidentit si “të mbyllur”. Kreu i kësaj partie, Bedri Hamza, në një adresim publik, të shtunën mbrëma tha se në adresimin e Kurtit të premten u pa një tentim tjetër nga kryeministri për t’ia hedhur fajin opozitës lidhur me procesin e zgjedhjes së Presidentit të ri.
Ajo që pamë nuk ishte reflektim, sipas Hamzës, por vetëm ndryshim i formës së manipulimit.
“Nga fyerjet e mëhershme për ne si opozitë, dje dëgjuam moralizim politik. Por moralizim pa përgjegjësi dhe pa vetëdije për dëmet që shkakton me retorikën e tij. Çdo lider politik i përgjegjshëm ndalet, reflekton dhe bashkëpunon, sidomos në momentet kur vendi ka më së shumti nevojë. Ndërsa z. Kurti, për vite me radhë, ka bërë të kundërtën: ka refuzuar bashkëpunimin, ka refuzuar kompromisin dhe ka zgjedhur përplasjen si mënyrë veprimi. Edhe tani ai po kërkon nënshtrim, jo bashkëpunim. Po e kërkon përkrahjen tonë, jo për shtetin, por për pushtetin e tij. Jo për stabilitetin e vendit, por për stabilitetin e tij politik”.
“Si Kryetar i PDK-së, unë kam dëshmuar vullnet e gatishmëri për dialog dhe bashkëpunim. Kam qenë aty, në çdo takim, në çdo ftesë. Madje edhe në vikend, në zyrën e tij, me shpresën e vetme: që kjo çështje të trajtohet seriozisht dhe me përgjegjësi shtetërore. Por shumë shpejt u bë e qartë: nuk ishte i interesuar për konsensus. Nuk ishte i interesuar për kompromis. Kishte vetëm një qëllim: imponimin e një presidenti partiak për pushtetin e tij. Ne, si PDK, kemi ofruar zgjidhje konkrete. Kemi ofruar marrëveshje gjithëpërfshirëse. Kemi ofruar marrëveshje vetëm për Presidentin dhe diskutim për emra konsensualë në një fazë të dytë, pas dakordimit parimor. Madje kemi mbështetur edhe figura unifikuese, që i bashkojnë të gjithë qytetarët tanë. Por kjo qasje konstruktive e jona nuk u vlerësua. U shtrembërua. U keqinterpretua. U përdor për konsum politik. Dhe në fund, vendi u shty drejt një rruge të gabuar që çonte në zgjedhje të reja, me dy kandidatë partiakë të tij dhe pa asnjë përpjekje reale për zgjidhje”, tha Hamza të shtunën mbrëma.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, në një konferencë për media pas seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës të shtunën, tha se Vjosa Osmani mund të jetë emër i propozuar për kandidat për president.
“E dyta, me sa kuptuam, Kurti po i kërkon 90 vota, pra jo vetëm LDK-në, por 90 vota si tip i parë, që i bie që ai kërkon bashkëpunim edhe me PDK-në. Vitin e kaluar kur kisha propozuar qeverinë e unitetit, ju kujtohet se si më thonin ‘se pa PDK-në s’po mundesh’. Duket se këtë herë ai s’po mundet pa PDK-në”.
“Nëse ka dashur vetëm me LDK-në, ne kemi qenë në diskutime, kemi pasur diskutime të gjata për marrëveshje politike midis dy subjekteve tona. Në qoftë se do vetëm me PDK-në, le t’i lidhin ata, le t’i bëjnë ato 75 vota; në qoftë se mbetet te 15 votat e LDK-së, ulemi dhe flasim”.
“Por, në qoftë se ka dashur marrëveshje politike me LDK-në dhe do marrëveshje politike me LDK-në, atëherë LDK mund të propozojë emra. Ne s’kemi nevojë të propozojmë tre, propozojmë një. Mund të jetë edhe Vjosa Osmani, por le të na tregojë ai 66 votat për këtë emër. Mund të jetë, por njëherë duhet të vendoset ajo marrëveshje politike mes nesh. Apo do 90 vota? 90 vota menjëherë nuk i ka. Meqë nuk i ka 90 vota menjëherë, atëherë kjo po më duket manovër politike, por le të merret kjo me PDK-në, le ta tregojnë, e më pas ne përgjigjemi bashkë me 15 votat tona. Propozimi im ka qenë gjithmonë marrëveshja politike, por marrëveshje politike ku ta kemi presidentin në vendosje. Pra jo tre emra, por e japim një”, deklaroi Abdixhiku, transmeton Klankosova.tv.
Në ndërkohë, mediat raportuan për një takim të orëve të pasdites mes Abdixhikut dhe Osmanit, të shtunën, por nga kjo parti nuk pati konfirmim.
Deputeti i LDK-së, Besian Mustafa, në ndërkohë riktheu në faqen e tij në Facebook një postim të vitit 2019, ku ai shihej në foto me Osmanin, dhe i vuri mbishkrimin “Tik-tak“.
Megjithatë, zëra nga Vetëvendosje, si Arbër Zaimi, dolën kundër kandidaturës së saj, duke vënë në pikëpyetje aftësinë e Osmanit për të unifikuar spektrin politik.
Presidenti i Kosovës zgjidhet me dy të tretat e votave në dy rundet e para të votimit, apo me 61 vota në rundin e tretë, por nevojiten 80 deputetë në sallë që seanca të mundë të mbahet.
Prandaj, nevojitet një marrëveshje mes partive parlamentare për këtë çështje, duke qenë se asnjëra parti – madje as ajo në pushtet e Kurtit me 57 deputetë – nuk e ka një numër kaq të madh deputetësh në Kuvendin me 120 vende.
Afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit skadon më 28 prill dhe nëse deri atëherë nuk zgjidhet një president, Kosova do të mbajë zgjedhje të reja brenda 45 ditësh.
Më 4 prill, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, u emërua ushtruese e detyrës së presidentit, sipas Kushtetutës. /Klankosova.tv




