Sipas nënkryetarit të LDK-së, Lutfi Haziri, ky subjekt nuk do të propozojë askënd për postin e presidentit të vendit, përderisa nuk ka ose nuk bëhet publike një ujdi dypalëshe me Vetëvendosjen.
Ish-kryetari i Gjilanit ka deklaruar se LDK-ja nuk ka votë për të propozuarit e VV-së, teksa shton se janë shterur edhe mundësitë për një emër konsensual që do të përfshinte të gjitha partitë.
“Nëse flasim për një emër konsensual, tashmë po shihet që janë shterur të gjitha mundësitë që Kosovës t’i jepet një mundësi përmes një emri konsensual, i cili i përfshin të gjitha partitë politike dhe, eventualisht, të gjitha grupet etnike. Në këtë fazë po flitet, natyrisht, për një marrëveshje LDK-LVV. Ky është i vetmi angazhim politik që LDK-ja e ka në raport me LVV-në për të gjetur mundësinë më të mirë për zgjedhjen e presidentit të Republikës. Marrëveshja LDK-LVV bën fjalë për marrëveshje LDK-LVV, nuk shkon përtej nesh”, thotë ai.
Haziri ka thënë se në takimet e deritashme, Kurti nuk i ka kërkuar Abdixhikut të propozojë ndonjë kandidat për president. Sipas tij, një gjë e tillë do të bëhet vetëm nëse arrihet një marrëveshje në parim me Lëvizjen Vetëvendosje.
“Pse s’kemi biseduar asnjëherë për një emër? Neve nuk na është kërkuar emër. Në asnjë takim ne s’kemi folur për emër konkret. Jo, kjo është lojë fjalësh, vëlla. Kjo është lojë fjalësh: me dalë e me thënë ‘opozita le të dalë me një propozim, ne e kemi një propozim tjetër’… Kjo është lojë fjalësh në politikë. Kjo është hap dhe angazhim për të bërë fajtor publik në Kosovë. Nuk është zgjidhje. Për momentin, zgjidhja është vetëm me LDK-në”, thekson Haziri.



