Përfaqësuesja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Tammy Bruce, u është drejtuar me mesazh Kryediplomatit të Kosovës, Glauk Konjufcës dhe atij të Serbisë, Marko Gjuriq, duke u thënë se e vetmja rrugë përpara është normalizimi.
Bruce ka theksuar se populli i Kosovës dhe ai i Serbisë meritojnë një të ardhme të sigurtë e pa tensione politike.
“Ne vlerësojmë faktin që populli i Kosovës dhe i Serbisë janë miqtë tanë. Ata meritojnë një të ardhme pa tensione politike e probleme të ricikluara. Mesazhi jonë për z. Gjuriq dhe z Konjufca është i thjeshtë. Rruga e vetme përpara është normalizimi”, ka thënë ajo.
Sipas Bruce, Presidenti Donald Trump dhe populli amerikan janë duke vëzhguar me kujdes që Kosova dhe Serbia të zotohen për të punuar bashkë drejt të ardhmes.
“Z. Trump dhe amerikanët po dëgjojnë me kujdes sa që ju të zotoheni qartë për të punuar e prosperuar sëbashku”, ka deklaruar Bruce.
Ajo ka thënë se SHBA-ja shpreson të shoh teksa Kurti dhe Vuçiq ulin tensionet dhe ulen në tavolinë, duke potencuar se Washingtoni do të punojë afër me liderë që shohin nga e ardhmja dhe jo nga e kaluara.
“Shpresojmë që Kryeministri Kurti dhe Vuciq do të ulin temperaturat, të shmangin eskalimin dhe që do të ulen në tavolinë. Ne do të punojmë për së afërmi me liderë që shohin nga e ardhmja e jo nga e kaluara. Me një dialog të vërtetë e jo teatër”, ka thënë ajo.
Bruce ka përsëritur qëndrimin e SHBA-së për mbylljen e misionit të UNMIK-ut.
“Nuk ka arsyetim që Kosova të trajtohet më 2026 sikur të ishte në vitin 1999. Sot KFOR-i ndihmon që të ruhet siguria në rajon. UNMIK-u nuk luan më rol as qeverisës, as ushtarak e as të ndërmjetësimit. Nuk po adreson as sigurinë e as paqeruajtjen dhe nuk po e avancon as normalizimin”, ka thënë Bruce.
Ajo u ka kërkuar shteteve që financojnë UNMIK-un që të pyesin veten se për çka po paguajnë në këtë mision.
Konjufca ndërkohë i ka bërë thirrje Serbisë që të njohë pavarësinë e Kosovës dhe të mos e mbajë peng integrimin e rajonit në struktura euroatlantike.
“I bëjmë thirrje Serbisë që të ballafaqohet me realitetin e vet dhe ta njohë Kosovën si shtet i pavarur dhe sovran, duke mos e mbajtur peng gjithë shoqërinë e rajonin të një hegjemonie të tillë”./Reporteri.net



