Për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin, Prokuroria Speciale në Hagë kërkoi 180 vjet burg, shumë më shumë sesa akterët kryesorë serbë gjatë luftërave në ish-Jugosllavi.
Në fjalët e saj përfundimtare, Prokuroria portretizoi UÇK-në si kriminale në qëllimin e krijimit dhe në krejt ekzistencën e saj.
Por, opinionisti Shkëlzen Daragaj tha se nëse ndaj ish-krerëve të UÇK-së kërkohet ky dënim gati dy shekullor, atëherë për çfarë standardesh të drejtësisë bëhet fjalë, kur kemi parasysh vendimet për ish-zyrtarët e lartë shtetërorë, ushtarakë dhe policorë serbë, të gjykuar për krime lufte në Tribunalin për ish-Jugosllavinë.
Të njëjtit kishin pushtet institucional, komandë shtetërore dhe përgjegjësi direkte për krime në Kosovë, përfshirë mijëra vrasje, dëbime masive dhe shkatërrim të pronës, raporton VOX.
Nikola Sainoviç, zëvendëskryeministër i Republikës Federale të Jugosllavisë dhe përfaqësues i posaçëm i Sllobodan Milosheviç-it për Kosovën, u dënua fillimisht me 22 vjet burgim, por më pas Apeli ia uli dënimin në 18 vjet.
Dragoljub Ojdaniç, Shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Jugosllave, u dënua me 15 vjet burgim.
Nebojsha Pavkoviç, Komandant i Ushtrisë së Tretë të Ushtrisë Jugosllave, e cila vepronte në Kosovë, u dënua me 22 vjet burgim.
Vladimir Lazareviç, Komandant i Korpusit të Prishtinës të Ushtrisë Jugosllave, u dënua me 15 vjet burgim, ndërsa Apeli ia uli dënimin në 14 vjet.
Sreten Lukiç, Shef i shtabit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, u dënua fillimisht me 22 vjet burgim, ndërsa Apeli ia uli dënimin në 20 vjet.
Vlastimir Xhorxheviç, ndihmës-ministër i Punëve të Brendshme të Serbisë dhe shef i Departamentit të Sigurisë Publike, u dënua me 27 vjet burgim, por Apeli ia uli dënimin në 18 vjet.



