Presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviq, ka ardhur për vizitë në Kosovë, por pritja e tij nuk është bërë nga ndonjë përfaqësues i Qeverisë së Kosovës. Ai është pritur nga prijësi i Manastirit të Deçanit.
Për vizitën e tij njoftoi vetë ai.
“Manastiri i Deçanit është një vend i shenjtë që prej shtatë shekujsh ruan pasurinë e trashëgimisë shpirtërore dhe kulturore, duke dëshmuar rëndësinë e besimit, traditës dhe trashëgimisë historike. E falënderoj igumanin Sava dhe vëllazërinë e manastirit për pritjen e përzemërt dhe mikpritjen. Vende të tilla na kujtojnë rëndësinë e ruajtjes së vlerave shpirtërore, respektimit të historisë dhe përgjegjësisë për ta ruajtur për brezat e ardhshëm atë që kemi trashëguar. Manastiri i Deçanit mbetet një vend i paqes shpirtërore dhe i lutjes, trashëgimia e të cilit i tejkalon kufijtë e kohës dhe ruan kujtimin e shekujve që kanë formësuar historinë”, shkroi ai në facebook.
Për vizitën e Milatoviqit kishte njoftuar vetëm Policia e Kosovës, e cila paralajmëroi ndërprerje të përkohshme të qarkullimit dhe devijim të trafikut në rrugë alternative, për shkak të lëvizjes së eskortës së presidentit malazez.
“Për të mundësuar qarkullim të lirë të eskortës, sipas itinerarit të lëvizjes, nga pika kufitare Kullë–Pejë, si dhe zhvillimin e aktiviteteve sipas agjendës zyrtare të vizitës në rajonin e Pejës, Policia e Kosovës, sipas nevojës, do të bëjë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të trafikut (ku mund të ketë riorientim të trafikut në rrugë alternative)”, thuhet në komunikatën e Policisë



