Në kuadër të Javës Evropiane të Sportit, sot në sheshin e qytetit “Isa Boletini” është mbajtur Panairi i Klubeve sportive të komunës së Mitrovicës.
Pjesëmarrës në Panair ishin klubet sportive të qytetit, sportistët e të cilëve përformuan para nxënësve të shkollave fillore, të cilët patën rastin të mësojnë gjërat elementare të sportit të tyre të preferuar.
Panairin e shpalli të hapur nënkryetari i komunës, Faruk Mujka, i cili mes tjerash theksoi se Institucionet komunale, gjegjësisht Drejtoria për Kulturë, Rini e Sport, do të vazhdojë të jetë e përkushtuar që të mbështes klubet, si dhe të ju ofrojë kushte sa më të mira për zhvillimin e veprimtarive sportive. Ai mes tjerash përmendi projektet që janë realizuar dhe që kanë filluar të realizohen në komunën e Mitrovicës, siç janë stadiumet, palestra sportive, rregullimi i fushave të futbollit, si dhe fushave sportive nëpër shkolla.
Ndërsa drejtori për Kulturë, Rini dhe Sport, Tafil Peci, përgëzoi të rinjtë mitrovicas për kontributin e tyre që janë duke e dhënë në fushën e sportit, ku njëherësh inkurajoi të gjithë të rinjtë që të merren sa më shumë me sport.
Qëllimi i organizimit të këtij panairi është që gjeneratave te reja tu tregohet oferta sportive, çka ofron sporti i Mitrovicës në mënyrë që të rinjtë sa më shumë të merren me sport, sepse sporti ndikon në ruajtjen e shëndetit dhe zvogëlon dukuritë negative.