3.7 C
Mitrovice
E enjte, 22 Janar, 2026
spot_img

Standard i ri, Hamza: Unë dhe partia do të distancohemi nga deputetët që vërtetohen se kanë prekur votën

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, është treguar i ashpër me bashkëpartiaket e tij që dyshohen se i kanë prekur votat e 28 dhjetorit.

Ai ka bërë me dije se me ata që kanë bërë dallavere me vota duhet të merren organet e drejtësisë.

Në një intervistë në “Rubikon”, i pari i PDK-së ka treguar një standard të ri që do ta përdor parti e tij në këtë rast.

Ai ka bërë me dije se ai dhe PDK-ja do të distancohet nga ata deputetë që konstatohet se janë përfshirë në vjedhje të votave.

“Organet e drejtësisë duhet me e krye punën e vetë, edhe PZAP-ja duhet me e krye punën e vetë, se ligji është i qartë. Munden me e hup edhe mandatin e deputetit”, ka thënë ai.

Sipas tij, të tillët nuk do të duhej të pranojnë mandatin e deputetit.

“Pa fakte nuk po flas, por nëse faktohet, si akt moral është edhe mospranimi i mandatiti të deputetit”, është shprehur ai.

Hamza ka bërë me dije se mandati duhet të dorëzohet edhe nëse votat e hequra në procesin e rinumërimit nuk ia humbin mandatin.

“Ti mundesh me i pasë 50 mijë vota, 100 mijë vota, por nëse ttu kanë shtuar votat, konstatohet edhe faktohet se ti je pjesë e saj, nuk mund të thuash ti se unë edhe pa këto vota bëhem deputet”, është shprehur ai, duke shtuar se në parim këta kandidat nuk duhet të pranojnë mandatin.

Ai është zotuar se PDK-ja do të distancohen nga ata deputetët për të cilët vërtetohet se kanë prekur votat e kandidatëve tjerë.

“Si kryetar partie po flas, nëse konstatohet se ka qenë pjesë e këtij procesi nuk është veprim i duhur që me e pranu mandatin e deputetit. Por, nëse veç e pranojnë mandatin e deputetit, edhe partia, në këtë rast unë si kryetar distancohem”, ka thënë ai, duke e shpjeguar këtë qëndrim të tij.

“Kjo i bije se ti nuk mund dikujt me ia marr mandatin, por ti nuk mundesh që në heshtje me e aprovu dhe me tejkalu këtë. Unë kom pa lider të paritve politike që as që kanë folur për këtë punë dhe as që e kanë bërë temë”, ka treguar Hamza.

Sipas tij të gjithë duhet të flasin dhe ta dënojnë këtë fenomen.

“Për këtë temë nuk ka folur zotri Kurti”, ka thënë Hamza.

Ndër të tjera, ai ka thënë se ndihet i shqetësuar për ata kandidatë që u është prekur vota që e kanë marrë më 28 dhjetor.

“Unë shqetësimin nuk e kam qysh ndihen ata, por si ndihet ai që iu kanë marrë votat. Pse me iu marrë votat? Qysh ke lobu, qysh ke punu, qysh je angazhu me e çu votën deri në kuti është punë e jotja, por dallimi në mes votave në kuti dhe në formular nuk duhet me ekzistu”, ka thënë Hamza.

TË FUNDIT

TË FUNDIT