Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, kujtoi presidentin historik, Ibrahim Rugova, në përvjetorin e 20-të të vdekjes, shkruan Mitrovica SOT
Kurti e vlerësoi lart personalitetin e tij si studiues i shquar i letërsisë e poashtu edhe si politikan me kontribut të madh për lirinë e pavarësinë.
“Në historinë e shtetndërtimit të Kosovës, periudha e pluralizmit partiak, e demokratizimit dhe e ndërkombëtarizimit të çështjes së vendit tonë, është e lidhur pashqitshëm me emrin e Ibrahim Rugovës”, shkroi Kurti.
Kurti tha se Rugova ka merita të veçanta në orientimin politik të Kosovës drejt Perëndimit dhe në ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës.
“Urtësia e tij në mendim dhe veprim, si dhe konsistenca e tij në rrugën e rezistencës paqësore, i hapën rrugë Kosovës në shumë forume dhe tryeza diskutimi. Ibrahim Rugova ka merita të veçanta për orientimin e qartë politik të Kosovës drejt Perëndimit dhe për ndërkombëtarizimin e drejtë të çështjes së Kosovës, veçanërisht gjatë viteve të para të dekadës së fundit të shekullit të kaluar”, shkroi Kurti.




