3.3 C
Mitrovice
E shtunë, 10 Janar, 2026
spot_img

Arrestimi i dy ish-drejtuesve të BKS-së, dyshohen se iu lëshuan qytetarëve para në emër të sigurimeve e një pjesë të tyre e morën vetë

Dy ish-drejtues të Byrosë Kosovare të Sigurimeve, janë në mesin e të 40 të arrestuarve në aksionin e Prokurorisë në Prizren.

Ish-drejtori i Byrosë Kosovare të Sigurimeve, Sami Mazreku bashkë me ish-drejtorin e Financave në BKS, Valon Berisha, dyshohen t’iu kenë lëshuar para qytetarëve të ndryshëm në emër të sigurimeve në vlera mijëra euro.

Siç raporton “Betimi për Drejtësi“, nga këto para, qytetarët një pjesë të tyre dyshohet t’ua kenë dhënë vetë atyre në cash.

Mazreku dhe Berisha u arrestuan në aksionin që po zhvillohet nga Krimet Ekonomike të Policisë së Kosovës me Prokurorinë Themelore në Prizren.

Aksioni është duke u zhvilluar në disa rajone të vendit, përfshirë Prizrenin, Prishtinën, Pejën, Gjilanin, Ferizajn, Mitrovicën dhe Gjakovën, ndërsa deri më tani janë ndaluar disa persona.

Për realizimin e këtij operacioni, në terren janë angazhuar nëntë prokurorë të Prokurorisë Themelore në Prizren, të cilët po e udhëheqin aksionin në koordinim me Krimet Ekonomike të Policisë së Kosovës.

Aksioni lidhet me dyshimet për kryerjen e veprave penale “keqpërdorim i besimit”, “keqpërdorim i autorizimeve në ekonomi”, “ndihmë në keqpërdorim të besimit” si dhe “falsifikim të dokumenteve”.

Sipas një raporti të bërë publik, ekzistojnë dyshimet se në mënyrë të kundërligjshme Byroja, me përfshirjen e personave Sami Mazreku dhe Venhar Hana, kanë kompensuar palët M.L dhe N.M. Palët e përfshira në aksident, kishin parashtruar padi në Gjykatën Themelore në Pejë- dega në Istog ndaj Byrosë Kosovare të Sigurimit, pas një aksidenti që kishte ndodhur në vitin 2011.

Sipas raportit, gjykata ua kishte aprovuar pjesërisht kërkesëpadinë për kompensim të dëmit material dhe jomaterial. Byroja kishte bërë ankesë. Rasti kishte shkuar në Gjykatën e Apelit, e cila e kishte refuzuar pjesërisht si të bazuar ankesën e Byrosë dhe kishte vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Pejë– dega në Istog për kompensim dëmi.

Më datën 05.03.2019 pala paditëse ka ushtruar revizion në Gjykatën Supreme, duke atakuar vendimin e Gjykatës së Apelit. Me datën e njëjtë kur është dërguar lënda në Gjykatën Supreme, Byroja ka bërë pagesën e kompensimit në vlerë prej 65 mijë e 240 eurove, e cila ishte vendosur në aktgjykimin e Gjykatës së Apelit të Kosovës më 14.01.2019.

Byroja më 15.03.2019 përgatit përgjigje në revizionin e ushtruar nga paditësit kundër aktgjykimit të Gjykatës së Apelit. Me datën 08.04.2019 Gjykata Supreme e Kosovës, nxjerrë aktgjykim ku refuzohet si i pabazuar revizioni i paditësve i paraqitur kundër aktgjykimit të Gjykatës së Apelit. Aktgjykimi i Supremes e kishte bërë të plotfuqishëm vendimin Gjykatës së Apelit.

Hetimet janë në zhvillim e sipër dhe priten detaje të tjera nga organet e drejtësisë në orët në vijim.

TË FUNDIT

TË FUNDIT