Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Muhamet Hamiti, ka bërë me dije se sanksionet e BE-së nuk mund të hiqen nga pushteti që ka e bërë punën që Kosovës t`i vendosen sanksione.
Ai ka vlerësuar se humbjet nga këto sanksione kanë qenë të mëdha.
Në profilin e tij në “Facebook”, Hamiti ka shkruar se Kosova është larg integrimeve evropiane.
“Sanksionet e BE-së nuk mund t’i heqin këta që e kanë bërë punën të na i vendosë Bashkimi Evropian para dy vitesh e gjysmë, në qershor të vitit 2023. Humbjet e deritanishme janë të mëdha, si materiale -fonde qindra milionë eurosh të pezulluara të BE-së për projekte jetike për qyetarët tanë – po ashtu edhe për imazhin e dëmtuar të Kosovës në botë si vend nën sanksione të BE-së, ku shteti ynë synon të integrohet një ditë. Aktualisht jemi më larg, jo më afër, integrimeve euro-atlantike”, ka shkruar ai, duke shtuar se më 28 dhjetor me votë mund të largohet pushteti aktual.
“Prandaj, qytetarët e Kosovës vendosin me votë më 28 dhjetor nëse duan t’i mbajnë VV-në në pushtet dhe sanksionet e BE-së në fuqi, apo ta nxjerrrin VV-në në opozitë në mënyrë që Qeveria e re të mund ta nisë punën për rimëkëmbje të përgjithshme të Kosovës, duke filluar me heqjen e sanksioneve dhe sanimin e dëmeve të tjera kolosale të Qeverisë së Albin Kurtit në këto pesë vitet e shkuara”, ka shkruar ai.





