8 C
Mitrovice
E enjte, 4 Dhjetor, 2025
spot_img

Lubisha Milkoviq dënohet me 2 vjet burgim dhe 14 mijë euro gjobë për sulm ndaj ushtarëve të KFOR-it dhe Policisë në Zveçan

I akuzuari Lubisha Milkoviq është dënuar me 2 vjet burgim dhe 14 mijë euro gjobë për sulm ndaj pjesëtarëve të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës në Zveçan më 2023.

Aktgjykimi ndaj Milkoviq u shpall të enjten nga kryetarja e trupit gjykues, Violeta Namani-Hajra, pasi i akuzuari ka arritur marrëveshje për pranim fajësie me Prokurorinë, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Për veprën penale “Sulmi ndaj personit zyrtar”, Milkoviq u dënua me 2 vjet burgim, në të cilin do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim, kurse për “Pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi” u dënua me 6 muaj burgim i cili dënim me pëlqimin e të akuzuarit i zëvendësohet me gjobë në shumën prej 14 mijë euro, të cilën detyrohet ta paguajë në afat prej 3 muajsh.

Të njëjtit i vazhdohet masa e paraburgimit derisa aktgjykimi të marrë formën e prerë. Ndërkaq, konfiskohen pajisjet dhe sendet e tij që janë përdorur për kryerjen e veprave penale.

Milkoviq u obligua edhe për shpenzimet e procedurës penale dhe atë 100 euro për paushallin gjyqësor dhe 100 euro për Fondin për Kompensimin e Viktimave të Krimit.

Paraprakisht, prokurori i rastit Bekim Kodraliu sipas marrëveshjes për pranim fajësie, propozoi që për veprën penale “Sulm ndaj personave në mbrojtje ndërkombëtare” dënimi të jetë me burgim efektiv në kohëzgjatje prej 2 vitesh, ndërsa për “Pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi” dënimi të jetë me 6 muaj burgim me mundësi zëvendësimi me gjobë në lartësi prej 14 mijë euro.

Mbrojtësi i të akuzuarit Milkoviq, avokati Millosh Deleviq dekaroi se kjo marrëveshje është arritur me vullnet të plotë.

Më pas, kryetarja e trupit gjykues, Violeta Namani-Hajra aprovoi marrëveshjen për pranimin e fajësisë mes Prokurorisë Speciale dhe të akuzuarit Milkoviq me mbrojtësin e tij.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 21 nëntor 2025, Lubisha Milkoviq i njohur me nofkën “Lube” akuzohet se më 29 maj 2023, në intervalin kohor duke filluar nga ora 06:00 e deri në orët e mbrëmjes, në perimetrin në të cilin gjendet objekti i Komunës së Zveçanit, në koordinim me shumë të pandehur të tjerë, kanë marrë pjesë aktive në grupin e personave me qëllim të kryerjes së veprave penale serioze, në atë mënyrë që përmes përdorimit të dhunës i kanë sulmuar dhe seriozisht i kanë kanosur ushtarët e misionit paqeruajtës të KFOR-it, duke përdorë mjete të fota, shufra të ndryshme, molotov, gurë dhe mjete shpërthyese të improvizuara si dhe armë të zjarrit, nga të cilat janë lënduar të paktën 30 pjesëtarë të forcave paqeruajtëse të KFOR-it, tre nga ta nga predhat e armëve të zjarrit, si dhe disa pjesëtarë të Policisë së Kosovës, të cilët kanë qenë në detyrë zyrtare për të garantuar rendin dhe qetësinë publike, nga të cilat veprime kanë kanosur seriozisht jetën dhe trupin e këtyre personave zyrtarë, e të cilëve u kanë shkaktuar lëndime të rënda trupore.

Me këtë, akuzohet se në bashkëkryerje e ka kryer veprën penale “Sulmi ndaj personit zyrtar”, nga neni 402, paragrafi 6 lidhur me paragrafin 3 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal.

Po ashtu, Milkoviq akuzohet se në koordinim dhe bashkëkryerje me shumë të pandehur të tjerë, ka marrë pjesë aktive në grupin përkatësisht turmën e personave me qëllim të kryerjes së veprave penale serioze, përmes përdorimit të dhunës kanë tentuar të pengojnë vendosjen e rendit kushtetutes të Republikës së Kosovës në komunat veriore të vendit. Aty thuhet se edhe përkundër urdhrave të ushtarëve të KFOR-it për shpërndarje të qetë të turmës dhe refuzim të hyrjes në objektin e komunës, i pandehuri së bashku me të pandehurit e tjerë, kishin filluar të ushtrojnë dhunë të pakontrolluar, me mjete të forta, molotov, gurë dhe mjete shpërthyese të improvizuara, si dhe armë zjarri.

Aktakuza thotë se si pasojë e këtyre, janë lënduar 30 pjesëtarë të KFOR-it, tre nga predhat e armëve të zjarrit, si dhe janë shkaktuar dëme të konsiderueshme në automjetet e KFOR-it, të Policisë së Kosovës, si dhe në veturat e gazetarëve, të cilët i kanë mbuluara ngjarjet e asaj dite, që përfshijnë djegien e plotë të disa automjeteve ose dëmtimin fizik në masë të madhe. Me këto veprime, kanë shkaktuar rrezik në shkallë të gjerë për jetën dhe trupin e shumë njerëzve.

Për këtë, Milkoviq akuzohet se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale “Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi” nga neni 404, paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal.

TË FUNDIT

TË FUNDIT