Në Samitin e 12-të të Procesit të Berlinit që po mbahet në Londër, kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, e ka rikujtuar sulmin terrorist në Banjskë, duke theksuar se drejtësia ende nuk është vendosur, pavarësisht se Milan Radoiçiq ka pranuar përgjegjësinë për organizimin e sulmit.
“Fqinjit tonë armiqësor në veri nuk duhet t’i lejohet të veprojë me pandëshkueshmëri, pasi kjo nxit inkursione të reja dhe dërgon një sinjal të rrezikshëm se sulmet ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës mund të mbeten të paqortuara,” tha Kurti në prani të liderëve evropianë.
Duke iu drejtuar Kryeministrit britanik Keir Starmer, Kancelarit gjerman Friedrich Merz, si dhe përfaqësuesve të Bashkimit Evropian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, Kurti kërkoi që Evropa të tregojë vendosmëri ndaj kërcënimeve që cenojnë stabilitetin rajonal.
Ai theksoi se Evropa është sot më e begatë se kurrë, por njëkohësisht më e sulmuar se asnjëherë më parë. “Kërcënimi në rritje i autoritarizmit, si jashtë ashtu edhe brenda kontinentit tonë, është një sfidë që Evropa e njeh shumë mirë,” deklaroi Kurti.
Në vijim, ai bëri thirrje për një ndjenjë të fortë uniteti evropian, duke kujtuar se paqja dhe liria nuk janë të garantuara, por duhen mbrojtur nga çdo brez.
“Ballkani Perëndimor gjendet gjeografikisht brenda kufijve të BE-së dhe NATO-s, por të gjitha vendet mbeten jashtë BE-së dhe gjysma jashtë NATO-s. Kjo nuk është as e mençur dhe as solide. Për ta frenuar ndikimin rus apo kinez në Evropë, nuk duhet të lëmë asnjë vakum,” shtoi ai, duke kërkuar mbështetje nga Londra për vendet që duan të anëtarësohen në NATO.
Kurti paraqiti edhe rezultatet e Kosovës gjatë pesë viteve të fundit, duke përmendur rritjen ekonomike mesatare prej 6%, përmirësimin e treguesve demokratikë, si dhe largimin e Kosovës nga lista e vendeve të brishta nga Banka Botërore dhe FMN.
Sa i përket zhvillimit ekonomik rajonal, ai u shpreh se Kosova mbështet Tregun e Përbashkët Rajonal dhe Agjendën e Gjelbër, por kërkon më shumë financim për infrastrukturë dhe tranzicion të gjelbër, si dhe më shumë solidaritet për të ulur pabarazitë.
Kurti kujtoi edhe marrëveshjen tregtare me EFTA-n, të nënshkruar në Davos, si dhe rikthimin e funksionalitetit të CEFTA-s gjatë kryesimit të Kosovës.
Në fund, ai theksoi angazhimin e Kosovës në luftimin e krimit të organizuar, financave të paligjshme dhe armëve të vogla e të lehta, duke shtuar se Kosova nuk është burim migracioni, por një pikë tranziti me numra të ulët.
“Ne kemi qëllime dhe vlera të përbashkëta me Evropën. Nuk kemi alternativë tjetër përveç anëtarësimit në BE dhe NATO,” përfundoi Kurti.