Lista Serbe i është drejtuar sërish Gjykatës Kushtetuese lidhur me zgjedhjen e nënkryetarit serb të Kuvendit, pozitë në të cilën u zgjodh Nenad Rashiq me votat e LDK’së.
Kjo parti ka kërkuar edhe vendosjen e masës së përkohshme.
“Po ashtu, kemi kërkuar vendosjen e një mase të përkohshme për të ndaluar veprimet antikushtetuese që mund të shkaktojnë dëme të pakthyeshme”, thuhet në njoftim.
Igor Simiq theksoi se kjo nuk është çështje e një pozite në Kuvend, por e respektimit të së drejtës së popullit serb për të zgjedhur përfaqësuesit e vet dhe për të pasur përfaqësim adekuat në institucione.
Deputeti i Listës Serbe tha se kërkesa liston në detajet dhe sipas tij, të gjitha shkeljet e Kushtetutës, Rregullores së Punës së Kuvendit dhe vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.
“Jemi të vetëdijshëm se regjimi i Albin Kurtit e futi me forcë Nenad Rashiqin si deputet, si dhe si nënkryetar të parlamentit, por të drejtat e garantuara kushtetuese duhet të respektohen dhe të kenë përparësi mbi pushtetin politik të shumicës. Presim që Gjykata Kushtetuese të veprojë sa më shpejt të jetë e mundur, sepse kjo çështje është me rëndësi më të gjerë shoqërore. Në të njëjtën kohë, të mbrojë të drejtat e popullit serb, duke refuzuar të jetë një instrument në duart e regjimit të Albin Kurtit”, theksoi Simiq.
Emri i Rashiq u hodh në votim pasi asnjë nga kandidatët e Listës Serbe nuk arriti të marrë më shumë se nëntë vota, të pamjaftueshme për t’u zgjedhur në këtë pozitë.
Me zgjedhjen e Rashiq, Kryeparlamentari Dimal Basha e shpalli Kuvendin si të konstituuar.
Lista Serbe i ishte drejtuar edhe më parë Kushtetuetueses për këtë çështje. Për atë ankesë, Kushtetuesja kishte dalë me Aktgjykim ku e kishte lejuar votimin e ndarë për nënkryetar dhe u kishte dhënë afat deputetëve 12 ditë për ta zgjedhur nënkryetarin./Reporteri.net