8 C
Mitrovice
E mërkurë, 15 Tetor, 2025
spot_img

Krasniqi: PDK, partia e vetme me rritje të votës nga zgjedhjet e vitit 2021, faleminderit për besimin

Kryesia e Partisë Demokratike të Kosovës ka mbajtur sot mbledhjen e rregullt, ku është diskutuar për zhvillimet e fundit politike në vend si dhe për procesin zgjedhor të 12 tetorit.

Pas mbledhjes së kryesisë, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka mbajtur konferencë për media, ku tha se zgjedhjet lokale shpërfaqën qartë se PDK përfaqëson modelin më të mirë të qeverisjes lokale në Kosovë.

Krasniqi, theksoi se PDK është e vetmja parti që ka rritje të votave në Kuvendet Komunale, krahasuar me vitin 2021.

“Të dielën, Kosova foli. Dhe mesazhi i qytetarëve ishte i qartë. PDK është modeli më i mirë i qeverisjes lokale në Kosovë. Këto ishin zgjedhjet e dyta lokale me radhë në të cilat Partia Demokratike e Kosovës ka dalë fituese, duke marrë besimin qytetar dhe numrin më të madh të asamblistëve, ndërsa kësaj radhe edhe votën popullore. Kjo është një fitore e qytetarëve, e përgjegjësisë dhe e punës konkrete që PDK ka dëshmuar me kandidatët e saj anembanë Kosovës e veçanërisht në Komunat ku kemi qeverisur. Të dielën kemi marrë rreth 180 mijë vota si parti dhe jemi partia e vetme me rritje të votës nga zgjedhjet e vitit 2021. Por kemi edhe mbi 200 mijë vota për kandidatët tanë për kryetarë, që tregon për mbështetjen e madhe qytetare për kandidatët tanë gjithandej Kosovës. Siç e dini tashmë, në tri komuna, Ferizaj, Skenderaj dhe Han i Elezit, fituam pa balotazh, qartë dhe bindshëm. Ndërkaq, në gjashtë të tjera, Prizren, Mitrovicë, Vushtrri, Kaçanik, Klinë dhe Dragash, garojmë për fitore në raundin e dytë.

Krasniqi tha se PDK është kthyer si forcë kryesore politike në kryeqytet, pas më shumë se dy dekadave.

“Kemi marrë rreth 29 mijë vota për kryetar, mbi 10 mijë më shumë se para katër vitesh, ndërsa kemi dalë forca e dytë më e madhe politike, para Vetëvendosjes, në një garë të pabarabartë kundër pushtetit lokal dhe atij qendror. Kjo është një fitore që dëshmon rritje, organizim dhe besim. Tani, do të përqendrohemi në balotazhe. Të përfundojmë punën, me dinjitet dhe me fitore. Dhe ne do ta përmbyllim me sukses këtë mision”, shtoi ai.

Lideri i PDK-së tha se ky rezultat dhe këto fitore janë dëshmi e qëndrueshmërisë, e besimit dhe e vlerave të kësaj partie, të trashëguara nga Thaçi dhe Veseli.

“Në fund, dua të shpreh dedikimin tim më të sinqertë për themeluesit e PDK-së, për ish-kryetarët Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli, të cilët padrejtësisht ende po mbahen në Hagë. Ata janë pjesë e frymës së fitores tonë. Me këtë rast, ftoj bashkëqytetarët dhe shqiptarët kudo që janë, që të marrin pjesë në protestën në mbështetje të çlirimtarëve që mbahet pasnesër ne Tiranë. Faleminderit të gjithëve për besimin”, theksoi Krasniqi.

TË FUNDIT

TË FUNDIT