22.1 C
Mitrovice
E martë, 16 Shtator, 2025
spot_imgspot_img

Lista Serbe garon për ta rimarrë veriun, thotë se do t’i çlirojë 4 komunat nga kryetarët e ‘rremë’

Ndërsa Lista Serbe e nisi fushatën zgjedhore me një “numërim mbrapsht deri në rënien e kryetarëve të rremë të komunave” në veri të Kosovës, partitë e tjera politike serbe, që garojnë në zgjedhjet lokale të 12 tetorit në Kosovë, e akuzojnë këtë parti si përgjegjëse për gjendjen e vështirë të komunitetit serb.

Disa parti dhe iniciativa qytetare në veri zotohen, gjithashtu, se do t’i rishikojnë ose shfuqizojnë vendimet e mëparshme të autoriteteve lokale dhe se çdo vendim i ri do të merret në konsultim me qytetarët.

Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë dhe e vetmja në vend që ka mbështetjen e Beogradit zyrtar – premton se vendimet e autoriteteve aktuale lokale në komunat e veriut të Kosovës do të anulohen.

Në nëntor të vitit 2022, Lista Serbe inicioi tërheqjen e serbëve nga institucionet e Kosovës në veri dhe bëri thirrje për bojkotimin e zgjedhjeve lokale në prill të vitit 2023, shkruan REL.

Kjo çoi në zgjedhjen e kryetarëve shqiptarë të komunave, të cilët mbetën në detyrë deri në fund të mandatit, sepse Lista Serbe, edhe në prill të vitit 2024, bëri thirrje për bojkotimin e votimit për shkarkimin e tyre.

Por, në zgjedhjet e 12 tetorit, kjo parti do të ketë kandidatë për kryetarë në të dhjetë komunat me shumicë serbe në Kosovë: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq, Zubin Potok, Graçanicë, Shtërpcë, Novobërdë, Kllokot, Partesh dhe Ranillug, si dhe në Obiliq.

Përveç saj, në komunat me shumicë serbe do të garojnë edhe: Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë e Nenad Rashiqit, Demokracia Serbe e Aleksandar Arsenijeviqit, Lëvizja Kombëtare Serbe e Millija Bishevacit, Aleanca Kosovare e Goran Marinkoviqit, si dhe disa iniciativa qytetare, të cilat kanë kandidatë kryesisht në një komunë.

Gjatë hapjes së fushatës parazgjedhore më 13 shtator në Mitrovicë të Veriut, kryetari i Listës Serbe, Zllatan Ellek, tha se “të gjithë mezi e prisnim këtë ditë – ditën që shënon fillimin e shkarkimit të kryetarëve të paligjshëm dhe të rremë të [liderit të Vetëvendosjes dhe kryeministrit në detyrë, Albin] Kurti dhe ndjekësve të tij”.

“Ka ardhur koha për t’i çliruar katër komunat tona në veri të Kosovës dhe për t’i mbajtur të gjashtë komunat në jug të lumit Ibër”, tha ai.

Po atë ditë, në Mitrovicë të Veriut u mbajt një tubim, ku u prezantuan kandidatët për këshilltarë komunalë, si dhe kandidati për kryetar komune, Millan Radojeviq, i cili udhëhoqi Mitrovicën e Veriut deri në nëntor të vitit 2022, kur edhe dha dorëheqje në kuadër të tërheqjes kolektive të serbëve nga institucionet e Kosovës.

Radojeviq tha në atë tubim se ka ardhur koha “për t’i kthyer komunat tona, për ta kthyer qytetin tonë, për ta kthyer Mitrovicën në duart e popullit të Mitrovicës dhe që populli i Mitrovicës të udhëheqë dhe të vendosë për fatin e tij”.

Por, vëmendjen e publikut e tërhoqi më së shumti pankarta “Të gjithë për vëllanë Millan” – e interpretuar si mbështetje për Millan Radoiçiqin, ish-nënkryetar i Listës Serbe, i cili mori përgjegjësinë për sulmin e armatosur në Banjskë, në shtator të vitit 2023.

TË FUNDIT

spot_img
spot_img

TË FUNDIT