Arlinda Zekaj kishte marrë 9 mijë euro kredi, ku garantues ishte një familjar i saj.
Pas vrasjes së Arlindës, në adresë të të afërmit të saj kanë shkuar disa mesazhe ku i është rikujtuar se duhet të shlyejë obligimin ndaj bankës.
Lidhur me këtë ka reaguar Kreditimi Rural i Kosovës.
Në komunikatë është thënë se mesazhi i dërguar është gjeneruar automatikisht, ndërsa mes tjerash është theksuar se KRK do të shqyrtojë mundësinë e faljes së detyrimit të mbetur të kësaj kredie.
Komunikata e plotë:
Me qëllim të informimit të drejtë të publikut, dëshirojmë të sqarojmë se mesazhi SMS lidhur me vonesën e pagesës së kredisë së të ndjerës Arlinda Zekaj është gjeneruar automatikisht nga sistemi ynë elektronik, pa ndërhyrje manuale.
Në momentin kur kemi kuptuar për dërgimin e mesazhit, rasti ishte tashmë në proces të trajtimit nga ana jonë.
Dëshirojmë të theksojmë se dërgimi i këtij mesazhi nuk ka qenë i qëllimshëm dhe se në asnjë rrethanë nuk ka pasur synim të shpërfillet apo të shfrytëzohet kjo ngjarje tragjike.
Megjithatë, e kuptojmë plotësisht ndjeshmërinë e situatës dhe dhimbjen e familjes, ndaj na vjen sinqerisht keq për kete keqkuptim të krijuar.
KRK i kërkon falje të sinqertë familjes dhe shpreh ngushëllimet më të thella për humbjen e vajzës së tyre.
Në këto momente të vështira, KRK shpreh respektin dhe solidaritetin me familjen.
Duke e trajtuar këtë rast me ndjeshmëri dhe mirëkuptim të veçantë, KRK do të shqyrtojë edhe mundësinë e faljes së detyrimit të mbetur të kredisë, në përputhje me procedurat përkatëse të institucionit.
KRK mbetet e përkushtuar ndaj komunikimit të përgjegjshëm, respektimit të dinjitetit njerëzor dhe trajtimit me mirëkuptim të klientëve dhe familjeve të tyre.




