20.6 C
Mitrovice
E shtunë, 13 Shtator, 2025
spot_imgspot_img

Mbyllja e fondeve të sigurimeve pensionale serbe, BE: Veprim i pakoordinuar në kundërshtim me obligimet dhe zotimet e Kosovës karshi Bashkimit Evropian

Bashkimi Evropian ka reaguar ndaj mbylljes së zyrave të fondeve serbe për sigurime shëndetësore dhe pensionale në veri të Kosovës, duke e cilësuar këtë hap si një veprim të njëanshëm nga institucionet e Kosovës.

Në deklaratën e zëdhënësit thuhet se çështja e funksionimit të këtyre strukturave duhet të trajtohet vetëm përmes procesit të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, në përputhje me marrëveshjet ekzistuese dhe me ligjin vendor.

“Kjo përbën edhe një veprim tjetër të pakoordinuar nga Qeveria në detyrë e Kosovës kundër strukturave të tilla dhe është në kundërshtim me obligimet dhe zotimet e Kosovës karshi BE-së. BE-ja vazhdimisht ka deklaruar se statusi i tyre duhet të zgjidhet në linjë me dialogun e ndërmjetësuar nga Brukseli, marrëveshjet e arritura dhe ligjet e Kosovës”, thuhet në deklaratë.

Bashkimi Evropian i ka bërë thirrje Qeverisë në detyrë që të shmangë veprimet e njëanshme, duke kërkuar “të përmbahen nga provokime të tilla dhe veprime të dëmshme si dhe të konsultohen me komunitetin lokalë serbë dhe partnerët ndërkombëtarë”.

Një ditë më parë, Komuna e Mitrovicës së Veriut njoftoi për Radion Evropa e Lirë se, me mbështetjen e Policisë së Kosovës, Inspektorati komunal ka ushtruar kontrolle në hapësirat ku funksiononin institucionet e lidhura me sistemin e Serbisë.

“Gjatë kontrollit është konstatuar se personat e hasur në objekt nuk kanë pasur dokumentacion të vlefshëm për ushtrimin e veprimtarisë së përmendur. Për këtë arsye, puna është pezulluar përkohësisht, ndërsa procedura e mëtejshme do të zhvillohet në mënyrë të rregullt, në përputhje me ligjet dhe kompetencat në fuqi”, thanë nga Komuna e Mitrovicës së Veriut.

Kujtojmë se vetëm dje, Ambasada e ShBA-së njoftoi për pezullimin në kohë të pacaktuar të Dialogut Strategjik me ShBA-në.

“Shtetet e Bashkuara e kanë pezulluar për kohë të pacaktuar Dialogun e tyre të planifikuar Strategjik me Kosovën për shkak të shqetësimit rreth veprimeve të qeverisë në detyrë, të cilat i kanë rritur tensionet dhe jostabilitetin, duke e kufizuar aftësinë e Shteteve të Bashkuara për të punuar në mënyrë produktive me Kosovën për prioritetet e përbashkëta” – thuhet në komunikatën e Ambasadës Amerikane.

“Ne mbetemi të përkushtuar ndaj avancimit të interesave të përbashkëta të ndara nga Shtetet e Bashkuara dhe populli i Kosovës” – thuhet në deklaratë.

ShBA argumentoi se veprimet dhe deklaratat e fundit nga kryeministri në detyrë Albin Kurti, kanë paraqitur sfida ndaj progresit të bërë ndër shumë vite.

“Marrëdhënia jonë me Kosovën është e mbështetur në një qëllim të përbashkët: fuqizimi i paqes dhe stabilitetit si një bazë për mirëqenie të përbashkët ekonomike. Fatkeqësisht, veprimet dhe deklaratat e fundit nga kryeministri në detyrë Kurti kanë paraqitur sfida ndaj progresit të bërë ndër shumë vite”.

TË FUNDIT

spot_img
spot_img

TË FUNDIT